Kosova

Diplomacia e Kosovës në Amerikën Latine përballë përplasjes me Perëndimin


Ilustrim

Në vargun e përplasjeve politike dhe paqartësive diplomatike që kanë karakterizuar politikën e jashtme, në Kosovë është evidentuar një prirje e lidershipit aktual për t’i shpenzuar energjitë diplomatike në vendet e Amerikës Latine. Dhe kjo është veçanërisht e dukshme nga shkëmbimet e fundit me qeveritë e Kolumbisë, Kosta Rikës, El Salvadorit e Panamasë.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare janë të ndarë në vlerësimet e tyre rreth angazhimit të Qeverisë së Kosovës në eksplorimin e horizonteve të reja në këtë hemisferë të botës. Përderisa disa e kanë cilësuar përpjekje të kahmotshme për të zgjeruar praninë diplomatike atje, disa e kanë konsideruar të pamjaftueshëm për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, vizitën e fundit zyrtare e realizoi në Kolumbi, ku përveç shkëmbimeve diplomatike e kulturore dhe dikutimeve rreth zgjerimit të bashkëpunimit tregtar e ekonomik, njoftoi se së shpejti do të hapet edhe ambasada e Kosovës në Bogota – ambasada e dytë e vendit në Amerikën Qendrore pas asaj në Panama.

“Hapja e ambasadës tregon për angazhimin e Kosovës në këtë hemisferë të botës dhe nevojën për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine. Hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, potencoi ndër të tjera diplomacia kosovare në një komunikatë për shtyp.

Në tetor të vitit të kaluar, në kuadër të një vizite në rajon, ajo kërkoi që edhe Panamaja t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës, duke pasur parasysh që panamezët ndjekin politikën e regjimit pa viza për vendet e zonës Shengen. Zëvendësministrja Gashi vizitoi edhe Kosta Rikën para shënimit të 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve zyrtare diplomatike mes dy vendeve.

Gjithashtu, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në maj qëndroi në San Salvador – vizita e parë e një kreu të shtetit në këtë vend – për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të rizgjedhur të El Salvadorit. “Prezenca e Kosovës në Amerikën Latine dhe forcimi i aleancave me shtetet e kësaj pjese të botës është interes shtetëror i Republikës”, deklaroi presidentja Osmani.

Megjithatë, ish-ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës, Bekim Çollaku, deklaron për Albanian Post se diplomacia kosovare gjatë mandatit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në tre vjetët e fundit, ka qenë “shumë e ngathët” në aspektin e angazhimit në skenën globale, derisa përmend mes tjerash ngërçin e dukshëm në procesin e integrimeve euro-atlantike.

Ai nënvizon gjithashtu se ekzekutivi kosovar deri më tash ka dështuar të ndërtojë një diplomaci funksionale, duke vazhduar t’i shpenzojë energjitë diplomatike dhe resurset financiare në realizimin e “takimeve simbolike” në Amerikën Latine mes mungesës së njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata, por edhe dëmtimit në forcimin e imazhit të Kosovës.

“Fatkeqësisht, është e vështirë për të identifikuar ndonjë sukses eventual në fushën e politikës së jashtme. Vizitat dhe takimet simbolike mbesin brenda karakterit simbolik. Në mungesë të njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare, takimet e natyrës krejt simbolike shpeshherë nuk justifikojnë as shpenzimet financiare të buxhetit të Kosovës”, shton Çollaku.

Për shumë kritikë, angazhimi në Amerikën Latine vjen pas përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët tradicionalë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Por, profesori i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Dublinit në Irlandë, Gëzim Visoka, nuk pajtohet se aktiviteti i shtuar diplomatik i vendit në këtë rajon është rezultat i kësaj.

“Mendoj se ky aktivitet diplomatik ka të bëjë me përmbylljen e përpjekjeve disavjeçare të Kosovës për të zgjeruar prezencën diplomatike në Amerikën Latine. Por, përtej kësaj, është lajm i mirë që kemi aktivitete të tilla diplomatike në interes të zgjerimit të prezencës diplomatike të Kosovës, ku interesat e shtetit përfaqësohen dhe komunikohen më mirë”, nënvizon ai.

E profesori i Diplomacisë në Shkollën e Menaxhimit në Paris të Francës, Valon Murtezaj, derisa thekson rëndësinë dhe potencialin për rritje të bashkëpunimit tregtar e diplomatik në këtë rajon, duke qenë se Amerika Latine është shtëpia e 662 milionë njerëzve, potencon se deri më tash nuk ka pasur, dhe vazhdon të mos ketë angazhim konkret dhe serioz në këtë drejtim.

Megjithatë, vëren ai, duke qenë se shtetet aleate, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, gjithmonë kanë ofruar burime të konsiderueshme financiare, zhvillimore dhe diplomatike, duke siguruar fitimin e njohjeve, përfshirë nga vendet e Amerikës Latine, në mesin e të cilave ka shumë që nuk e kanë njohur vendin, atëherë diplomacia kosovare duhet të punojë me partnerët tradicionalë.

“Në këtë kontekst, arritja e njohjeve të reja është një objektiv esencial. Por bashkëpunimi me aktorët që kanë fuqinë kryesore në sistemin ndërkombëtar – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe ndërtimi i relacioneve produktive shumëdimensionale është parakusht për sukses në njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare”, thekson veç tjerash Murtezaj.

Ndryshe, në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, figurojnë 117 shtete, të cilat e kanë njohur Kosovën. Njohja e fundit ka ardhur nga Izraeli, në vitin 2020. Në këtë moment, për Kosovën, sigurisht që kanë rëndësi parësore pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja, nga të cilat katër të parat janë anëtarë të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore