Kosova

Hoti kritikon Kurtin: Ne s’kemi negociuar asnjëherë me Serbinë për veriun


Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avduallah Hoti, aktualisht deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një intervistë për “Ekonomia Online” të enjten, ka thënë se para ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, asnjë prej qeverive të mëparshme nuk ka negociuar në kuadër të dialogut me Serbinë rreth veprimeve të autoriteteve në pjesën veriore të Kosovës.

“Gjithmonë e ka pasur një qasje shumë të qartë sa i përket veriut, dialogut dhe sigurisë; duke ndërtuar partneritete të ngushta me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke kryer veprime në veri në koordinim me aleatët – jo me Serbinë – asnjëherë s’kemi dialoguar me Serbinë, gjithmonë jemi dakorduar me partnerët tanë ndërkombëtar për ndërmarrjen e masave të caktuara”.

Kosova pothuajse vazhdimisht është qortuar nga komuniteti ndërkombëtare për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit, pavarësisht justifikimit të zyrtarëve institucionalë se lëvizjet e fundit janë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë pjesë.

Hoti ka thënë se pozicioni i Kosovës në dialog ka degraduar, duke qenë se në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) nuk përfshihet njohja reciproke midis dy fqinjëve rajonalë.

“Gabimi më i madh që është bërë në fillim të mandatit të kësaj qeverie është heqja dorë nga dialogu për njohje. Sot kemi një rezultat krejt tjetër: nga dialogu për njohje, nga një kërkesë për përmbyllje të dialogut, në një kërkesë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – ky është degradimi që i ka ndodhur Kosovës”, ka shtuar anëtari i Kryesisë së LDK-së.

Ndryshe, zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025, në një kohë kur polarizimi i skajshëm dhe sfidat e sigurisë janë duke zënë rrënjë në vend. Në të njëjtën kohë, zhvillimi ekonomik i ngadaltë, integrimet e kufizuara evropiane e procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten disa prej çështjeve kryesore politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore