Shqipëria

Edhe Osmani ngushëllon familjen e Gerti Bogdanit: E mbështeti Kosovën me përkushtim dhe pasion


Vjosa Osmani

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike (PD), Gerti Bogdani, i cili vdiq të mërkurën në moshën 44-vjeçare.

Përmes një telegrami ngushëllimi, Osmani ka thënë se me dhimbje të thellë e ka pranuar lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut, ish-deputetit demokrat dhe aktivistit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

“Ky lajm i hidhur preku zemrat, jo vetëm të familjes së tij, por të të gjithëve që e njohën, përfshirë edhe mua për më shumë se dy dekada”.

Gjatë gjithë këtyre viteve të angazhimit të tij politik, e para vendit potencoi se Gerti nuk ishte thjesht një deputet e aktivist politik i përkushtuar, por një përkrahës i palëkundur i Kosovës.

“Në çdo rol që mbante dhe në çdo mundësi që iu dha, ai e mbështeti Kosovën me përkushtim dhe pasion”.

Përkushtimi i tij i palëkundur dhe përpjekjet e tij të palodhura për ta afirmuar Kosovën dhe shqiptarët, presidentja theksoi se nuk do të harrohen kurrë.

“Gjithmonë do ta kujtoj Gertin, jo vetëm si një koleg, por si një mik të vërtetë, një njeri me integritet, bujari dhe besnikëri”.

Ikja e parakohshme e tij është humbje jo vetëm për familjen, të afërmit, e miqtë, por, sipas saj, edhe për politikën dhe parlamentarizmin shqiptar.

“Humbja e tij është e pamatshme, ndërkaq dhimbja ime është me familjen, në këtë kohë të vështirë”.

Gerti iku, por pas la shëmbëlltyrën e profesionistit, politikanit dhe mbi të gjitha të njeriut të mirë, shtoi presidentja.

Në këto çaste të rënda për familjen, Osmani tha se “bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”.

“I përhershëm qoftë kujtimi për Gerti Bogdanin!”, përfundoi ajo.

PD-ja shpall ditë zie dhe anulon aktivitetet në nder të Gert Bogdanit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore