Kosova

Si e shpërfaqi Bislimi dështimin e “lobimit” të Osmanit për Urën e Ibrit


Ilustrim

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, më 17 shtator, dëshmoi se lobimi te shtetet Perëndimore i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në raport me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve, ka qenë një dështim total.

Osmani, me tone bindëse, në një intervistë për Kallxo.com më 8 shtator, kishte deklaruar se “falë insistimit” të saj komuniteti ndërkombëtar “nuk po kërkon” më që çështja e hapjes së urës kryesore që e bashkon Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut të diskutohet në procesin e dialogut.

“Tash më nuk ka insistim që kjo çështje të shkojë në dialog me Serbinë për shkak të insistimit tim të vazhdueshëm edhe me BE-në edhe me NATO-n edhe me shtetet veç e veç që të bëhet dëm i jashtëzakonshëm nëse kjo dialogohet me Serbinë”, tha ajo.

Kryenegociatori Bislimi, të martën duke pranuar të diskutojë për çështjen e Urës në selinë e NATO-s në Bruksel me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe Komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat, vuri në pah faktin se diplomacia e Osmanit nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

Aleanca Veri – Atlantike, nëpërmjet një komunikate për media, u përkujdes të potencoi pikërisht faktin se takimet e ndara në selinë e NATO-s me Besnik Bislimin e Petar Petkoviç-in, u zhvilluan “në margjinat e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e të organizuara nga i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak”.

Përveç kësaj, Bislimi të martën në Bruksel shkeli rëndë “sovranitetin”, cenoi “integritetin territorial të Kosovës” dhe “kushtetutshmërinë e vendit”.

Osmani, nëpërmjet një komunikate për media, kishte thënë se çështja e urës “nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë”, në të kundërtën “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

Se Bislimi e diskutoi çështjen e Urës në Bruksel e konfirmoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në një intervistë të shkurtër për televizionin publik gjerman, DW, edicioni në gjuhën shqipe, Sveçla vlerësoi se për çështjen e urës shumë shpejtë do të ketë një situatë tjetër, sidomos pas bisedimeve në Bruksel.

“Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejtë. Jam i bindur se pas bisedimeve dhe koordinimit të nevojshëm me KFOR-in që është prezent aty dhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë tjetër”, tha ai.

Në muajt e fundit krerët e shtetit thuajse në përditshmëri jepnin garanca që çështja e urës kryesore mbi lumin Ibër në asnjë mënyrë nuk do të diskutohej në procesin e dialogut deri në momentin kur zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, e theu “qëndresën” dhe pranoi ta bëjë urën çështje të procesit të dialogut, por duke e zhvendosur atë në selinë e NATO-s në Bruksel.

Takimi i radhës në mes të kryenegociatorit të palës kosovare, Besnik Bislimi e kryenegociatorit të palës serbe, Petar Petkoviç nuk prodhoi asnjë rezultat, meqë nuk u arrit të aranzhohet një takim trelateral, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë.

Për dështimin e takimit – siç rëndom ndodhë – pala kosovare fajësoi palën serbe, ndërsa pala serbe, palën kosovare.

Megjithatë, ajo çfarë mund të cilësohet si jo e zakonshme ishte që procesi i dialogut këtë herë vazhdoi edhe në selinë e Aleancës Veri-Atlantike në Bruksel.

Bislimi e Petkoviç morën rrugën drejtë Bulevardit “Leopold III” në Bruksel, ku në selinë e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, takuan ndarazi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe Komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat.

“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë”, thuhej në komunikatën e NATO-s.

A do të thirret para drejtësisë Besnik Bislimi për shkelje të “sovranitetit” dhe “integritetit territorial” të Kosovës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore