Lajme

Oficeri i CIA-s që abuzoi seksualisht me disa gra, mund të burgoset për 30 vjet


Prokurorët amerikanë kanë bërë thirrje që një ish-oficer i CIA-s të burgoset për 30 vjet lidhur me akuzat për ofendime seksuale ndaj më shumë se 20 grave.

Shumë prej tyre, 48 vjeçari Brian Jeffrey Raymond, i drogoi dhe më pas i regjistroi, shkruan e përditshmja amerikane “The Washington Post”.

Ish-oficeri përballet me një seancë dëgjimore dy-ditore duke filluar nga e mërkura përpara gjykatëses Colleen Kollar-Kotelly nga Washington-i.

Në një marrëveshje të nëntorit me prokurorët, Raymond pranoi se kishte droguar 27 gra të ndryshme dhe kishte kryer akte seksuale jokonsensuale ose kontakte me 10 prej tyre.

Ai gjithashtu pranoi se kishte prodhuar materiale të turpshme që përshkruanin 25 prej tyre pa dijeninë ose lejen e tyre.

Raymond, i cili punoi për më shumë se 20 vjet në qeverinë federale, u deklarua fajtor për katër nga 25 akuzat për të cilat ishte akuzuar fillimisht – duke përfshirë abuzimin seksual, kontaktin seksual abuziv, detyrimin dhe joshjen dhe transportimin e materialeve të turpshme.

Në marrëveshjen e tij për pranimin e fajësisë, ai ra dakord të paguante 10 mijë dollarë si kompensim për secilën prej viktimave të identifikuara nga dënimi dhe mbikëqyrja e përjetshme pas burgosjes.

Raymond u arrestua në San Diego në tetor të vitit 2020 dhe është mbajtur në një burg të Washington-it për më shumë se katër vjet.

Ai u deklarua fajtor për akuzat federale për abuzim seksual dhe transportimin e materialeve të turpshme në vitin 2021, përpara se të tërhiqte pranimin e tij me arsyetimin se mbrojtja e tij nuk arriti të hetonte nëse zbatimi i ligjit shkeli të drejtat e tij kushtetuese.

Kjo, pasi ai u vu nën presion për t’u dhënë agjentëve kodet e telefonave të tij. Ish-oficeri arriti një marrëveshje të re për pranimin e fajësisë me avokatin e ri vjeshtën e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore