Kosova

Konjufca vlerëson kontributin e EULEX-it në Kosovë: Ka dhënë efektet e tij  


Giovanni Pietro Barbano dhe Glauk Konjufca

Kryetari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar të mërkurën shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ku kryekuvendari ka vlerësuar kontributin e Misionit të BE-së në Kosovë.

“Ai u shpreh se ky kontribut i ka dhënë efektet e tij edhe në kapacitetet e Republikës së Kosovës për t’u përballur me të gjitha sfidat që gjenden përpara”, bëhet e ditur në një komunikatë për media, pas takimit.

Në takim ndër të tjera është diskutuar për çështje të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, sa i përket fushës së sundimit të ligjit, nga perspektiva e aktualitetit dhe synimeve të përbashkëta për ligjshmëri të kudogjendur, demokraci vibrante dhe stabilitet afatgjatë.

“Bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm e gjithnjë e më substancial, me qëllimin përparimin gjithnjë e më të madh në drejtim të sundimit të ligjit”, potencon komunikata.

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe Barbano.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Barbano, bisedën me Konjufcën e ka konsideruar si mjaft konstruktiv.

“Ne diskutuam bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe ripërtëriva gatishmërinë e EULEX-it për të vazhduar mbështetjen e institucioneve të Kosovës në avancimin e sundimit të ligjit në interes të të gjitha komuniteteve dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Barbano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore