Lajme

Politikat e azilit, BE-ja i zbret 200 milionë euro Hungarisë nga pagesat


Bashkimi Evropian tha se do të zbresë 200 milionë euro nga pagesat e radhës për Hungarinë.

Kjo, pasi vendi nuk arriti të paguajë një gjobë të vendosur për politikat e tij të azilit përpara skadimit të afatit.

Lajmi u bë i ditur nga kompania mediatike “Bloomberg”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Balazs Ujvari u tha gazetarëve në Bruksel të mërkurën se bllokut do t’i duhet pak kohë për të identifikuar pagesat e ardhshme që mund të absorbojnë gjobën.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë kishte urdhëruar Budapest-in të paguante dënimin, së bashku me një gjobë shtesë prej 1 milion euro ditore, duke përmendur mospërputhjen e kryeministrit Viktor Orban me vendimin e mëparshëm të gjykatës për mbrojtjen e azilkërkuesve.

Hungaria, e cila mban presidencën e rradhës të BE-së deri në fund të vitit, ka kërcënuar se do të hakmerret duke dërguar emigrantë që shfaqen në kufijtë e saj me autobus në Bruksel.

Me partitë e ekstremit të djathtë që fitojnë forcë politike në disa vende evropiane, ka një rritje të reagimit kundër paktit të ri të BE-së për migrimin dhe azilin.

Të martën, Holanda kërkoi të tërhiqet nga marrëveshja, edhe pse blloku ka thënë se nuk ka asnjë mekanizëm për një hap të tillë.

Në qershor, gjykata e lartë e BE-së tha se qeveria hungareze po “shmang qëllimisht” rregullat për trajtimin e shtetasve të vendeve të treta që kërkojnë strehim në vend, duke përbërë “një kërcënim serioz për unitetin e ligjit të BE-së”.

Sipas gjykatësve, Hungaria kishte mbajtur në mënyrë të paligjshme azilkërkuesit dhe kishte dëbuar shtetasit me qëndrim të paligjshëm, pa ndjekur procedurën e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore