Kosova

A do të thirret para drejtësisë Besnik Bislimi për shkelje të “sovranitetit” dhe “integritetit territorial” të Kosovës?


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën në Bruksel ka shkelur “rëndë sovranitetin”, ka “cenuar integritetin territorial të Kosovës” dhe “kushtetutshmërinë e vendit” meqë ka pranuar që të diskutojë për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ishte vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila nëpërmjet një komunikate për media, kishte thënë se çështja e urës “nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë”, në të kundërtën “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

Kundër sugjerimeve të presidentes, më 17 shtator ka vepruar pikërisht kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, kur ka pranuar të diskutojë çështjen e Urës në selinë e NATO-s në Bruksel me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe Komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat.

Ndonëse shumë kush me të drejtë mund të thotë se Bislimi këtë çështje se negociojë në dialog, por vetëm ndau qëndrimin e Kosovës me zyrtarët e Aleancës, kjo e fundit një komunikatë për media, u përkujdes të potencoi pikërisht faktin se takimet e ndara në selinë e NATO-s me Besnik Bislimin e Petar Petkoviç-in, u zhvilluan “në margjinat e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e të organizuara nga i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak”.

Prandaj pyetja e natyrshme që lindë në këtë kontekst është se a do të thirret para drejtësisë Besnik Bislimi për “shkelje të sovranitetit” dhe “integritetit territorial” të Kosovës?

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Zyrës së Presidentes për një qëndrim të Vjosa Osmanit për këtë çështje, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje.

Se Bislimi e diskutoi çështjen e Urës në Bruksel e konfirmoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në një intervistë të shkurtër për televizionin publik gjerman, DW, edicioni në gjuhën shqipe, Sveçla vlerësoi se për çështjen e urës shumë shpejtë do të ketë një situatë tjetër, sidomos pas bisedimeve në Bruksel.

“Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejtë. Jam i bindur se pas bisedimeve dhe koordinimit të nevojshëm me KFOR-in që është prezent aty dhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë tjetër”, tha ai.

Në muajt e fundit krerët e shtetit thuajse në përditshmëri jepnin garanca që çështja e urës kryesore mbi lumin Ibër në asnjë mënyrë nuk do të diskutohej në procesin e dialogut deri në momentin kur zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, e theu “qëndresën” dhe pranoi ta bëjë urën çështje të procesit të dialogut, por duke e zhvendosur atë në selinë e NATO-s në Bruksel.

Takimi i radhës në mes të kryenegociatorit të palës kosovare, Besnik Bislimi e kryenegociatorit të palës serbe, Petar Petkoviç nuk prodhoi asnjë rezultat, meqë nuk u arrit të aranzhohet një takim trelateral, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë.

Për dështimin e takimit – siç rëndom ndodhë – pala kosovare fajësoi palën serbe, ndërsa pala serbe, palën kosovare.

Megjithatë, ajo çfarë mund të cilësohet si jo e zakonshme ishte që procesi i dialogut këtë herë vazhdoi edhe në selinë e Aleancës Veri-Atlantike në Bruksel.

Bislimi e Petkoviç morën rrugën drejtë Bulevardit “Leopold III” në Bruksel, ku në selinë e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, takuan ndarazi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe Komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat.

Pikërisht në këtë takim, Bislimi “tradhtoi rezistencën” disa mujore të ekzekutivit kosovar dhe pranoi që të diskutojë çështjen e urës së Ibrit me zyrtarët më të lartë të NATO-s.

“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë”, thuhej në komunikatën e NATO-s.

Kosova pranon ta bëjë urën mbi Ibër çështje të dialogut, e “zhvendos” në selinë e NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore