Sport

‘Thierry Henry i ri’ që po mahnit të gjithë Evropën


Michael Olise (m) - Thierry Henry (l-d)

Michael Olise, nënshkrimi i fundit i Bayern Munich-ut, e ka nisur në mënyrë spektakolare aventurën e tij në futbollin gjerman, duke konfirmuar pritshmëritë që shumëkush kishte ndaj tij.

Krahasuar që nga fillimet e tij me Thierry Henry, premtimi i ri 22-vjeçar francez duket i destinuar të shënojë një epokë në futbollin evropian.

Pasi shkëlqeu në ekipe si Crystal Palace dhe la gjurmë në Lojërat e fundit Olimpike, Bayern nuk hezitoi të shpenzojë më shumë se 50 milionë euro për të marrë shërbimet e tij.

Që nga ardhja e tij në Mynih, Olise ka treguar pse konsiderohet si një nga lojtarët më premtues të brezit të tij. Aftësia e tij me topin, shpejtësia dhe vizioni i lojës e kanë bërë atë një nga armët kryesore sulmuese të skuadrës bavareze.

Debutimi i tij në Champions League nuk mund të ishte më i ndritshëm, duke shënuar dy gola në fitoren e Bayern-it ndaj Dinamo Zagrebit (9-2).

Një debutim që përveçse e konsolidon si talent për t’u parë, e vendos në krah të legjendave si Henry, i cili në vitin 1997 arriti të shënonte dy gola në ndeshjen e tij të parë në këtë kompeticion.

Olise është vënë në dukje si një nga lojtarët që mund të konkurrojë në të ardhmen me figura të shtatit të Kylian Mbappe-s. Stili i tij i lojës dhe aftësia për të përfunduar në momentet kyçe e bëjnë atë një kundërshtar të frikshëm për çdo mbrojtje.

Krahasimi me Henry-n nuk është i kotë, pasi aftësia e tij për të thyer linjat dhe instinkti i tij i shënimit të kujtojnë ish-sulmuesin e Arsenal-it dhe të kombëtares franceze.

Bayern Munich ka gjetur te Olise një lojtar që premton të bëhet një nga emrat më të rëndësishëm në vitet e ardhshme. Me vetëm 22 vjet mbi supe, rruga e tij duket plot suksese dhe si në Bundesliga ashtu edhe në Evropë pritet të vazhdojë të lërë gjurmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore