Shqipëria

Shqiptarët më të kënaqurit me shërbimet shëndetësore në rajon, tregon Barometri


Nga më të pakënaqurit në rajon, shqiptarët brenda vitit kanë kapërcyer si populli më i kënaqur me shërbimet shëndetësore.

Kështu reflektojnë shifrat e fundit nga Barometri ballkanik, lidhur me përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve në vendet ku jetojnë, ku janë marrë parasysh gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Përkundër vitit të shkuar në të njëjtin matës, ku qytetarët shqiptarë rezultonin ndër më të pakënaqurit me shëndetësinë, shumë poshtë mesatares, ky vit ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin e tyre.

Sipas anketimeve të realizuara në mënyrë periodike nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, 49% e shqiptarëve janë përgjigjur se janë kryesisht ose plotësisht të kënaqur me shërbimin shëndetësor. Vitin e shkuar, kjo shifër ndalej vetëm në 17%, duke konstatuar kështu një rritje vjetore prej 32% – më e larta në rajon.

Rreth kësaj teme, ndjek menjëherë Kosova, e cila ka ndryshime pozitive në këtë fushë, ku 34% e qytetarëve janë të kënaqur me shërbimet. Një vit më parë, ishin të kënaqur vetëm 28%.

Serbia vjen më tutje, me 32% të qytetarëve të kënaqur, përkundrejt 33% një vit më parë, me një rënie të lehtë në këtë perceptim.

Mali i Zi më tutje është po me 32%, por në ndryshim, ka numrin më të lartë të qytetarëve “plotësisht të kënaqur” me shërbimin shëndetësor, ku arrihet shifra prej 11%. Mali i Zi gjithsesi tregon rënie, pasi një vit më parë ka qenë 36% perceptimi në këtë aspekt.

Teksa, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, e mbyllin radhitjen në këtë aspekt.

Bosnja mban një kuotë të qëndrueshme në 27% kënaqësi për shërbimet shëndetësore. Ndërsa, Maqedonia e Veriut has probleme të thella, me vetëm 19% të qytetarëve, të cilët ndihen të kënaqur me to.

Edhe në termat ekonomikë, shqiptarët kanë rezultuar më optimistët e rajonit, ndjekur nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe në fund Maqedonia e Veriut.

Shqiptarët janë më optimistët e rajonit, sipas Barometrit të Ballkanit 2024

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore