Kosova

Haxhiu njëherë thotë se ura s’është për dialog, pastaj pranon se Bislimi diskutoi në Bruksel për urën


Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, potencoi se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka thënë që çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve do të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut.

Duke pranuar – dy sekonda më pas –  se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka diskutuar këtë çështje pikërisht në procesin e dialogut në Bruksel.

“Asnjëherë nuk kemi thënë që kjo duhet të jetë temë që do të diskutohet në Bruksel”, tha Haxhiu.

“Por, sot Bislimi e diskutoi”, e pyeti gazetarja.

“Sot zëvendëskryeministri, Bislimi, e ka specifikuar që kanë folur për lirinë e lëvizjes, për rëndësinë e lirisë së lëvizjes. Prandaj duke diskutuar me përfaqësuesin e BE-së, pra në takimin bilateral dhe jo në një ku ka qenë Serbia, ka qenë e qartë edhe për BE-në që hapja e urës nuk ka alternativë”, shtoi ajo

Haxhiu ndër të tjera tha se Qeveria e Kosovës konsideron që takimet “në dialog duhet të vazhdojnë”.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, Komandanti i Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat, sipas një komunikate për media e lëshuar nga Aleanca Veri – Atlantike, NATO, të martën kanë zhvilluar takime të ndara me të kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimi e kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç-in në Bruksel.

Takimet e ndara, sipas NATO-s, u zhvilluan në margjinat e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e organizuar nga i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak – ku çështja kryesore e diskutuar ka qenë hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë”, thuhet në komunikatën e NATO-s.

Goffus, siç thuhet në komunikatë, ka theksuar se vendimi për çështjen e urës “duhet të merret në kuadër të dialogut” dhe në “koordinim në kohë dhe në mënyrë efektiv me Komunitetin Ndërkombëtar”.

“Në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”, potencon komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore