Kosova

Kosova pranon ta bëjë urën mbi Ibër çështje të dialogut, e “zhvendos” në selinë e NATO-s


Ilustrim: Besnik Bislimi

Në muajt e fundit krerët e shtetit thuajse në përditshmëri jepnin garanca që çështja e urës kryesore mbi lumin Ibër në asnjë mënyrë nuk do të diskutohej në procesin e dialogut deri në momentin kur zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, e theu “qëndresën” dhe pranoi ta bëjë urën çështje të procesit të dialogut, por duke e zhvendosur atë në selinë e NATO-s në Bruksel.

Takimi i radhës në mes të kryenegociatorit të palës kosovare, Besnik Bislimi e kryenegociatorit të palës serbe, Petar Petkoviç nuk prodhoi asnjë rezultat, meqë nuk u arrit të aranzhohet një takim trelateral, ndonëse një gjë e tillë ishte paraparë.

Për dështimin e takimit – siç rëndom ndodhë – pala kosovare fajësoi palën serbe, ndërsa pala serbe, palën kosovare.

Megjithatë, ajo çfarë mund të cilësohet si jo e zakonshme ishte që procesi i dialogut këtë herë vazhdoi edhe në selinë e Aleancës Veri-Atlantike në Bruksel.

Bislimi e Petkoviç morën rrugën drejtë Bulevardit “Leopold III” në Bruksel, ku në selinë e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur bota, takuan ndarazi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe Komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat.

Pikërisht në këtë takim, Bislimi “tradhtoi rezistencën” disa mujore të ekzekutivit kosovar dhe pranoi që të diskutojë çështjen e urës së Ibrit me zyrtarët më të lartë të NATO-s.

“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë”, thuhej në komunikatën e NATO-s.

Ndonëse shumë kush me të drejtë mund të thotë se Bislimi këtë çështje se negociojë në dialog, por vetëm ndau qëndrimin e Kosovës me zyrtarët e Aleancës, kjo e fundit një komunikatë për media, u përkujdes të potencoi pikërisht faktin se takimet e ndara në selinë e NATO-s me Besnik Bislimin e Petar Petkoviç-in, u zhvilluan “në margjinat e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e të organizuara nga i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak”.

Nga pikëpamja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bislimi me këtë hap ka shkelur “rëndë sovranitetin”, ka “cenuar integritetin territorial të Kosovës” dhe “kushtetutshmërinë e vendit” .

Meqë ishte vetë presidentja Osmani, e cila nëpërmjet një komunikate për media, kishte thënë se çështja e urës “nuk duhet assesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë”, në të kundërtën “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

Më tragjikja është se NATO-ja në po këtë komunikatë për media ka nënvizuar faktin se misioni i saj në Kosovë, KFOR-i “do të vazhdojë të mbajë prezencën e tij fikse” në urën që e ndanë Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut duke vazhduar “të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”.

Si rrodhën gjërat në takimet e ndara Bislimi – Lajçak – Petkoviç?

Lajçak, shprehu keqardhje që në Bruksel të martën nuk ka pasur një takim trelateral mes tij dhe Bislimit e Petkoviç-it në kuadër të procesit të dialogut.

“Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të Palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, shkroi Lajçak shkurtimisht në platformën sociale, X.

Në anën tjetër si diçka “misterioze” e cilësoi Bislimi, mungesën e takimit trelateral në kuadër të dialogut në Bruksel, të martën, ndonëse sipas tij, Lajçak, në ftesën e dërguar paralajmëronte se do të kishte një takim të tillë.

Në një prononcim për media pas takimit me diplomatin sllovak në kuadër të dialogut në nivel kryenegociatorësh, Bislimi potencoi se ishte pala serbe ajo që ka refuzuar takimin trelateral duke kërkuar “futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik”.

“Edhe për ne është pak mister sepse ftesa ka qenë shumë e qartë e zotit Lajçak që do të ketë së pari të ketë takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral, pastaj është thënë që në takimin trilateral do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë, e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral, por si duket Serbia pastaj ka refuzuar të hyjë me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik, çka ne nuk kemi qenë dakord”, deklaroi ai

Sipas tij, në ftesë thuhej se temat e tjera mund të futen në diskutim vetëm me dakordimin e palëve, e “rrjedhimisht takimi trelateral nuk ka mundur të kushtëzohet me pranimin ose jo të propozimeve të palës tjetër”.

Duke komentuar takimin me Lajçak-un, Bislimi bëri të ditur se janë diskutuar një varg çështjes, por kryesorja ka qenë rruga drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Bislimi ka njoftuar se kanë folur edhe për temën e telekomunikacionit, pasi më parë kanë njoftuar Brukselin zyrtar “për shkeljet që po i bën Serbia të marrëveshjes”.

Ndërkaq Petkoviç, njoftoi se gjatë takimit me Lajçak-un ka insistuar në demarkimin e kufijve kadastral “si parakusht” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Në një konferencë për media, kryenegociatori i palës serbe insistoi në demarkimin e zonës në Suhadoll në Mitrovicë të Veriut.

“Ne kërkojmë respektimin e marrëveshjes, ku insistojmë në demarkimin e zonës së Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, tha Petkoviç, transmetoi mediumi serb me seli në Kosovë, “Kossev”.

Petkoviç ishte i pari i cili njoftoi për një takim me përfaqësuesit e NATO-s lidhur me urën mbi lumin Ibër.

“Do të flasim për temën e urës, por nga prizmi i sigurisë, sidomos për të vënë në dukje, në një prezantim të veçantë, të gjitha rreziqet që ekzistojnë nëse Kurti fillon ta hapë urën në mënyrë të njëanshme. Kjo është e pamundur, sepse NATO është e pranishme në atë urë dhe prandaj është e rëndësishme të bisedohet me ta”, tha Petkoviç në një prononcim për media.

Përkundër se Bislimi, potencoi se takimi trelateral i paraparë të mbahet në Bruksel të martën, sipas agjendës së prezantuar nga ndërmjetësuesi Lajçak, dështoi për shkak të refuzimit të palës serbe, Petkoviç, vlerësoi se një takim i tillë dështoi për shkak të refuzimit të palës kosovare.

Bislimi, siç pretendoi Petkoviç, refuzoi të marrë pjesë në takimin trepalësh, me arsyetimin se Beogradi ka insistuar të diskutohet tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, shërbimet postare dhe çështjen e zbatimit të marrëveshjes për urën.

“Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyç siç është Asociacioni. Një çështje kyç është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë”, ka potencuar Petkoviç.

Ai po ashtu ka thënë se ia ka dorëzuar Lajçak-ut “listën e të gjithë serbëve të arrestuar, të burgosurve politikë”.

“Edhe pse kemi pasur garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja se askush që ka qenë në barrikada nuk do të arrestohet, ka ndodhur e kundërta”, shtoi Petkoviç.

Për herë të fundit, Bislimi dhe Petkoviç ishin takuar në fillim të muajit korrik të këtij viti, por as ai takim s’kishte prodhuar ndonjë rezultat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore