Shqipëria

Vengu pret gjeneralin Cavoli, për modernizimin e FA-ve dhe mbështetjen ndaj Ukrainës


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka pritur në një takim komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë, njëherazi Komandant i Forcave amerikane në Europë, gjeneral Christopher G. Cavoli dhe delegacionin e tij, ku është diskutuar më së shumti për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, si edhe mbështetjen për Ukrainën.

Përmes një publikimi në media sociale, Vengu shkruan se ka folur për situatën në rajon me Cavolin, mbështetjen e madhe që NATO vijon të japë në Kosovë dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik, sikundër dhe nevojën që të adresohen njëzëri retorikat destabilizuese dhe influencat dizinformuese të aktorëve të tretë në vendet e rajonit.

“Falënderova Gjeneral Cavolin për mbështetjen jetike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin çdo ditë në rrafshin e modernizimit të Forcave tona të Armatosura si dhe fuqizimit të kapitalit tonë njerëzor”, përmendi ai.

Gjithashtu, tha se rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe garantoi se vendi do të vijojë të kontribuojë për Ukrainën në këto ditë të vështira për të, si një investim në sigurinë e mbarë kontinentit.

Gjeneral Cavoli nga ana tjetër përshëndeti masat e marra për rivitalizimin e industrisë ushtarake në Shqipëri, jo vetëm si një instrument zhvillimi ekonomik, por gjithashtu si një industri që do të përshpejtojë rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë në armatim dhe inovacion brenda planeve të Aleancës.

Ecuria e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës portuale në Porto Romano zuri një vend të rëndësishëm në këtë takim.

“U ndalëm në detaje të rëndësishme të këtij projekti, si pjesë jetësore e infrastrukturës rajonale të Korridorit VIII, një korridor i dobishëm për sigurinë, lëvizshmërinë ushtarake si dhe zinxhirët e furnizimit të rajonit dhe mbarë Aleancës”, përmbyll Vengu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore