Kosova

Lajçak shpreh keqardhje për mungesën e takimit trelateral në Bruksel: S’arritëm t’i trajtojmë çështjet urgjente


Miroslav Lajçak

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka shprehur keqardhje që në Bruksel të martën nuk ka pasur një takim trelateral mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit e kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviç në kuadër të procesit të dialogut.

“Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të Palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, ka shkruar shkurtimisht në platformën sociale, X, pas takimeve ndara që Lajçak pati me Bislimin e Petkoviç-in.

Çfarë tha Bislimi? 

Si diçka “misterioze” e ka cilësuar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, mungesën e takimit trelateral në kuadër të dialogut në Bruksel, të martën, ndonëse sipas tij, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në ftesën e dërguar paralajmëronte se do të kishte një takim të tillë.

Në një prononcim për media pas takimit me diplomatin sllovak në kuadër të dialogut në nivel kryenegociatorësh, Bislimi ka potencuar se ishte pala serbe ajo që ka refuzuar takimin trelateral duke kërkuar “futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik”.

“Edhe për ne është pak mister sepse ftesa ka qenë shumë e qartë e zotit Lajçak që do të ketë së pari të ketë takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral, pastaj është thënë që në takimin trilateral do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë, e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral, por si duket Serbia pastaj ka refuzuar të hyjë me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik, çka ne nuk kemi qenë dakord”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas tij, në ftesë thuhej se temat e tjera mund të futen në diskutim vetëm me dakordimin e palëve, e “rrjedhimisht takimi trelateral nuk ka mundur të kushtëzohet me pranimin ose jo të propozimeve të palës tjetër”.

Duke komentuar takimin me Lajçak-un, Bislimi ka bërë të ditur se janë diskutuar një varg çështjes, por kryesorja ka qenë rruga drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Bislimi ka njoftuar se kanë folur edhe për temën e telekomunikacionit, pasi më parë kanë njoftuar Brukselin zyrtar “për shkeljet që po i bën Serbia të marrëveshjes”.

Çfarë tha Petkoviç? 

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pas takimit bilateral me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë takimit ka insistuar në demarkimin e kufijve kadastral “si parakusht” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Në një konferencë për media, kryenegociatori i palës serbe ka insistuar në demarkimin e zonës në Suhadoll në Mitrovicë të Veriut.

“Ne kërkojmë respektimin e marrëveshjes, ku insistojmë në demarkimin e zonës së Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, ka thënë Petkoviç, transmeton mediumi serb me seli në Kosovë, “Kossev”.

Petkoviç ka njoftuar ndër të tjera për një takim eventual me përfaqësuesit e NATO-s lidhur me urën mbi lumin Ibër.

“Do të flasim për temën e urës, por nga prizmi i sigurisë, sidomos për të vënë në dukje, në një prezantim të veçantë, të gjitha rreziqet që ekzistojnë nëse Kurti fillon ta hapë urën në mënyrë të njëanshme. Kjo është e pamundur, sepse NATO është e pranishme në atë urë dhe prandaj është e rëndësishme të bisedohet me ta”, tha Petkoviç në një prononcim për media.

Përkundër se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, potencoi se takimi trelateral i paraparë të mbahet në Bruksel të martën, sipas agjendës së prezantuar nga ndërmjetësuesi Lajçak, dështoi për shkak të refuzimit të palës serbe, Petkoviç, vlerësoi se një takim i tillë dështoi për shkak të refuzimit të palës kosovare.

Bislimi, siç pretendoi Petkoviç, ka refuzuar të marrë pjesë në takimin trepalësh, me arsyetimin se Beogradi ka insistuar të diskutohet tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, shërbimet postare dhe çështjen e zbatimit të marrëveshjes për urën.

“Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyç siç është Asociacioni. Një çështje kyç është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë”, ka potencuar Petkoviç.

Ai po ashtu ka thënë se ia ka dorëzuar Lajçak-ut “listën e të gjithë serbëve të arrestuar, të burgosurve politikë”.

“Edhe pse kemi pasur garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja se askush që ka qenë në barrikada nuk do të arrestohet, ka ndodhur e kundërta”, ka shtuar Petkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore