Shqipëria

Meloni shtyn sërish afatin për hapjen e kampit të Gjadrit


“Ne po punojmë me seriozitet të jashtëzakonshëm për këtë projekt, do të duhen edhe disa javë që të jetë perfekt, do të kisha preferuar që të fillonte më herët por ne i kemi sytë e botës të fokusuar tek kjo nismë, nëse duhen edhe disa ditë nuk më shqetëson”.

Kështu, kryeministrja Giorgia Meloni iu përgjigj një pyetjeje në fund të takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer.

“Modeli që qeveria italiane ka imagjinuar për qendrat për të përpunuar kërkesat për azil nën juridiksionin italian dhe evropian në një vend të huaj nuk ishte testuar, nëse funksionon dhe besoj se funksionon të gjithë e kuptojnë se ka një gur themeli edhe për elementin e parandalimit. duke u mbështetur te kriminelët”.

Po ashtu, afati i ri pritet të jetë tetori.

Italia do të hapë qendrat e saj të diskutueshme të përpunimit të emigrantëve në Shqipëri në tetor dhe nuk ka frikë nga apelimet nga ata që do të përpunohen, tha të hënën Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi.

Një afat ky i radhës i shtyrë, pas fjalëve fillestare që artikulonin se puna do të fillonte në gusht, më pas shtator, e tashmë afati është tetoriu.

“Me qendrat e emigrantëve në Shqipëri do të fillojmë në tetor”, shpjegoi për më tej ministri italian.

Pavarësisht faktit se shtyrjet e afateve të pretenduara kanë ndërruar dhe janë shtyrë shpesh, Piantedosi i ka justifikuar ato.

“Kaq, variacione shumë normale në progres”, tha ministri i prerë rreth çështjes.

Për sa i përket rrezikut të apelimeve nga emigrantët e ndaluar në Shqipëri, Piantedosi tha se “ne nuk i trembemi sepse kjo është një rregullore, me të cilën Italia parashikon një rregullore evropiane, që do të hyjë në fuqi nga viti 2026: do të ketë procedura të përshpejtuara kufitare me dëbime më të shpejta pa penguar të drejtën për azil”.

“Atëherë kontestet individuale do të trajtohen rast pas rasti”, përmbylli ai.

Se diçka e tillë do të ndodhte, e kishte paralajmëruar më 14 shtator edhe e përditshmja italiane La Stampa.

Çfarë shkruhej në artikullin e gazetës italiane?

Maksimumi dy, tre javë dhe qendrat italiane të emigrantëve në Shqipëri do të jenë gati.

Ky nuk ishte afati që Qeveria italiane priste në fillim, por në fund Kryeministria e vendit fqinj mbetet e kënaqur.

Kjo sipas të përditshmes italiane “La Stampa”, e cila shkruan se u zhvillua një mbledhje operacionale për të bërë bilancet, e kryesuar nga nënsekretari italian, Alfredo Mantovano.

Të pranishëm ishin edhe ministrat Matteo Piantedosi, Guido Crosetto dhe prefekti i Romës, Lamberto Giannini i cili do të jetë menaxheri përfundimtar administrativ, ashtu si Komisariati i Romës do të jetë drejtuesi teknik për sigurinë dhe gjykata e Romës për procedurat gjyqësore.

Hapja e dy qendrave, njëra në portin e Shëngjinit për të menaxhuar mbërritjen e anijeve me emigrantë dhe tjetra në Gjadër, ku emigrantët do të mbyllen në pritje të një riatdhesimi të përshpejtuar të mundshëm, vjen me katër muaj vonesë.

Problemet teknike të kantierit janë shumëfishuar, por koha nuk premton më.

Ndaj brenda pak ditësh duhet të mbërrijë njoftimi se Inxhinierët Ushtarakë italianë kanë përfunduar detyrën dhe se Ministria e Brendshme do të marrë në zotërim strukturën.

Në atë moment, nëse testimi do të shkojë pa probleme, do të nisin procedurat siç kërkon Protokolli Itali-Shqipëri i pranverës së kaluar.

Organizimi është gati: Shërbimet do të drejtohen nga një Drejtor i Lartë i Policisë, dy Drejtues të Parë dhe Oficeri i Ndërlidhjes me Shqipërinë.

Siç sqaroi MPB-ja italiane për sindikatat e policisë, mbikëqyrja dhe menaxhimi i rendit publik brenda godinave “do të menaxhohet nga një kontingjent i përbashkët i forcave prej 300 njësive”.

Priten forca nga departamentet e policisë së lëvizshme, shkencore, të imigracionit dhe të policisë gjyqësore, të ndara si më poshtë: 176 nga policia, 77 nga karabinierët dhe 47 nga Guardia di Finanza.

Policia italiane do të vendosë edhe 4 drejtorë dhe 2 nënkomisionarë në Shqipëri.

Krahas kësaj do të ketë edhe operatorë nga Policia e Burgjeve për të menaxhuar çdo të burgosur.

Ministria e Brendshme rithekson se ekstraterritorialiteti do të zbatohet në strukturat e Shëngjinit dhe Gjadrit.

Brenda strukturave do të zbatohet legjislacioni italian.

Të gjitha detyrat jashtë qendrave – arratisjet, përleshjet apo krimet e kryera nga shtetas jashtë BE-së – do t’i delegohen policisë shqiptare.

Policia shqiptare do të ketë edhe përgjegjësinë e mbikëqyrjes së hotelit ku do të akomodohet personeli italian, i cili do të ketë të drejtën e një pagese prej 100 euro në ditë plus dhomën me shpenzimet e administratës.

Shërbimi në Shqipëri është aq i lakmuar, duke pasur parasysh ndryshimin e pagave, sa sindikata Siap ka kërkuar tashmë “rotacion midis të gjitha departamenteve dhe të gjithë zyrave për detyra të tjera përveç rendit publik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore