Kosova

Kurti dhe kryetari i Zubin Potokut bisedojnë për progresin e konvertimit të dokumenteve


Foto nga Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën është takuar me kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, me të cilin ka diskutuar për mbarëvajtjen e procesit të konvertimit të dokumenteve dhe pajisjes së qytetarëve me dokumente të Kosovës.

Takimi i Kurtit me Zeqirin është bërë i ditur përmes një komunikate e cila është dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

“Me qëllim rritjen e kapacitetit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Zubin Potokut, drejtues të kësaj komune thanë se po punohet në shtimin e stafit të administratës komunale”.

“Ata e njoftuan kryeministrin në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të konvertimit të dokumenteve dhe pajisjes së qytetarëve me dokumente të Republikës së Kosovës, si dhe me rezultatet e deritanishme të masave të punësimit të mbështetura nga Qeveria, ndërkohë që veçuan fillimin e procesit të mbledhjes së tatimit në pronë dhe procesit të vlerësimit të pronave”, thuhet në komunikatë.

Teksa është thënë se kanë diskutuar edhe për punën, progresin, arritjet e deritashme në njërën anë dhe në anën tjetër rreth sfidave aktuale të cilat i kanë vlerësuar si të trashëguara.

“Kryetari Zeqiri theksoi se nga takimet me qytetarët është vërejtur interesim i shtuar për pjesëmarrje dhe bashkëpunim në proceset vendimmarrëse”.

Ndërsa, gjatë takimit u diskutua edhe rreth projekteve ekzistuese, ato që kanë përfunduar dhe që janë në proces punës

“Nga drejtuesit e komunës u veçua rëndësia dhe nevoja e investimeve në infrastrukturë, sidomos në fshatrat e thella të komunës, por edhe e programeve të mbështetjes dhe mirëqenies sociale”.

“Në këtë drejtim, ata e njoftuan kryeministrin Kurti mbi përgatitjet që Zyra e Kryetarit dhe drejtoritë komunale po bëjnë për seancën e kuvendit komunal, në të cilin pritet të diskutohet dhe votohet buxheti komunal për vitin 2025, projekte investive, nga i cili do të reflektohen edhe në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025”.

Më 9 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar edhe kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetimin si dhe nënkryetaren Marina Bogojeviç, me të cilët ka diskutuar për qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit.

Po ashtu, më 5 shtator, Kurti është takuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe nënkryetaren Katarina Adançiç si dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune të cilët i ka përgëzuar për punën e bërë në këtë komunë.

Kreu i ekzekutivit i ka ofruar kryetarit dhe nënkryetares së Veriut, mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore