Kosova

Maqedonci: Kosova e vendosur të qëndrojë në anën e NATO-s


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se me ftesë të Universitetit Evropian të Tiranës ka marrë pjesë në ceremoninë e veçantë ku gjeneral Christopher Cavoli, Komandant Suprem i NATO-së dhe i Forcave Amerikane është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdoj të jetë krah i Aleancës së NATO-së.

“Gjersa bota po përballet me një krizë, Kosova do të vazhdoj të jetë krah Aleancës së NATO-s dhe Komandant Cavolit në misionin për mbrojtjen e Ukrainës, duke ofruar mbështetjen tonë të pakursyer brenda kapaciteteve që kemi në dispozicion”, ka shkruar Maqedonci në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka thënë se Cavoli ka pasur kontribut të paçmim në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes lidershipit strategjik.

“Përkushtimit ndaj bashkëpunimit transatlantik dhe veçanërisht vëmendjes që Aleanca e NATO-s i ka kushtuar Evropës, Gjeneral Cavoli do të cilësohet gjithmonë si miku i shqiptarëve”.

Kosova pritet të marrë pjesë në sesionin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që do të zgjasë nga 22 deri më 25 nëntor 2024.

Në bazë të agjendës, në sesionin e 70-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Montreal të Kanadasë pritet të marrin pjesë rreth 300 delegatë nga shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë anëtarët e asociuar dhe anëtarët vëzhgues.

Në seancat plenare, anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitetet e posaçme.

Parlamenti i Kosovës, prej vitesh, ka pasur statusin e delegacionit vëzhgues në përbërje prej dy ulëseve. Por, pas avancimit të statusit në anëtare të asocuar do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Asambleja Parlamentare e NATO-s nuk është organ zyrtar i aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por shërben si një urë lidhëse mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore