Lajme

Komisionerja e re evropiane për zgjerimin dhe akuzat për lidhjet me shërbimet sekrete ish-jugosllave


Komisionerja e re Evropiane për Zgjerimin për pesë vitet e ardhshme pritet të jetë Marta Kos.

Kështu, Sllovenia u shpërblye të martën e 17 shtatorin duke marrë këtë portofol nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen tha se ishte “e sigurt” se procesi i nominimit në Slloveni do të kishte një fund pozitiv.

Por, Kos do të duhet të marrë dhe mbështetjen e Parlamentit Evropian, për të zyrtarizuar këtë emërim.

Disa ditë më parë, kandidatura e saj u konsiderua si e “papranueshme” dhe “problematike” nga eurodeputetja e EPP-së, Romana Tomc.

Kjo, për shkak të lidhjeve të dyshuara me shërbimet sekrete ish-jugosllave, por Kos do t’i hidhte poshtë akuzat në një deklaratë për Euronews.

“Këto akuza u shfaqën fillimisht kur shpalla kandidaturën time për presidencën e Republikës së Sllovenisë në vitin 2022 me qëllim që të më diskreditonin”, u përgjigj Kos në një deklaratë me shkrim për Euronews.

“Para se të bëhesha ambasadore në Gjermani dhe Zvicër, u kontrollova nga shërbimet e sigurisë në të dyja vendet; Mora miratimin tim pa asnjë problem. Nëse do të dëmtoja ndonjëherë interesat e Sllovenisë, nuk do të mund të punoja në qeverinë sllovene apo të isha ambasadore”, pohoi Marta Kos për transmetuesin “Euronews”.

Ndryshimi në minutën e fundit të emërimeve të komisionerëve nga Lubjana ndezi një grindje midis kryeministrit Robert Golob dhe Partisë Demokratike Sllovene të opozitës, së cilës i përket Tomc dhe të cilën ai e akuzon për sabotim.

Tomaž Vesel, ish-kreu i Gjykatës Kombëtare të Audituesve, u propozua fillimisht përpara verës, një vendim i rikonfirmuar nga qeveria më 3 shtator, përpara se Ljubljana të tërhiqej dhe të pranonte që të dërgonte një grua.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore