Gjykata Speciale

Specialja i largon 11 dëshmitarë dhe shtatë të tjerë dëshmojnë me shkrim ndaj ish krerëve të UÇK-së


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Gjykata Speciale ka marrë vendim që të largojë 11 dëshmitarë në gjykimin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe shtatë të tjerë të dëshmojnë me shkrim.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përmes njoftimit për media.

“Në përputhje me urdhrin e Panelit të datës 29 maj, ZPS-ja sot më 16 shtator njoftoi se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e njëmbëdhjetë dëshmitarëve. Po ashtu, ZPS-ja do t’i paraqesë me shkrim deklaratat e 7 dëshmitarëve në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

Të hënën në Speciale, ka dëshmuar dëshmitari i 85-të për të cilin është thënë nga trupi gjykues së është ish anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy ditë, teksa njoftimin për dëshminë e këtij dëshmitari e ka dhënë prokurori Matt Hawling.

Gjatë javës së kaluar në Speciale nuk ka pasur seanca, teksa seanca e së hënës është mbajtur e mbyllur.

Gjykata Speciale ka njoftuar më herët se trupi gjykues ka pranuar dëshmitë dhe provat me shkrim të nëntë dëshmitarëve në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”.

Gjithashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit.

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 84 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 85-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore