Kosova

Ministria e Financave kërkon verifikim të disa llogarive për shtesat e fëmijëve


Ilustrim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se lidhur me shtesat për fëmijë ka kërkuar verifikim për disa llogari për t’u siguruar se prindërit dhe fëmijët jetojnë në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate për media, ku kanë thënë se disa prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë.

“Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 18 korrik, kryeministri Albin Kurti, kishte prezantuar skemat e reja për fëmijë – të cilat do jenë shtesa për nënat varësisht nga numri i fëmijëve që kanë.

Kurti, para gazetarëve ka prezantuar se për një fëmijë buxheti që do t’i ndahet një nëne do të jetë 20 euro, ky kriter vlen për fëmijët që kanë moshën deri në 16 vjeç.

Qeveria e Kosovës kishte nisur implementimin e skemave të ndihmës për fëmijë në vitin 2021, në kuadër të pakos për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë së COVID-19.

Këto skema ishin bërë si pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për të ndihmuar familjet me fëmijë dhe për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore