Shqipëria

Shqipëria dhe Kosova kanë numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e BE-së


Qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës kryesojnë me ndryshore shumë të dukshme vendet e rajonit – për keq – listën e personave azilkërkues në vendet e Bashkimit Evropian, për gjysmën e parë të vitit 2024.

Kështu ka bërë me dije një raportim i Zërit të Amerikës, referuar raportit të fundit të Agjencisë Evropiane për Azilin (EUAA), i cili thotë se 3 mijë e 778 kërkesa për azil u paraqitën për herë të parë në një vend të Bashkimit Evropian nga shtetasit e Shqipërisë, nga janari deri në qershor të këtij viti.

Numri më i lartë i kërkesave për azil të shtetasve nga Shqipëria u regjistrua në Itali, Greqi dhe Francë.

Edhe numri i kërkesave për azil nga shtetasit e Kosovës në një vend të Bashkimit Evropian ishte i lartë, duke shënuar 3 mijë e 375 kërkesa në gjysmën e parë të këtij viti.

Ndërkohë vendet e tjera të rajonit të Ballkanit kanë një numër më të ulët kërkesash të shtetasve të tyre të paraqitura për herë të parë për azil në një vend të Bashkimit Evropian në 6 muajt e parë të këtij viti.

Sipas raportit të EUAA, shtetasit e Maqedonisë së Veriut paraqitën 1 mijë e 872 kërkesa për azil , të Serbisë 1 mijë e 660 kërkesa, të Bosnje Hercegovinës 750 kërkesa dhe të Malit të Zi 182 kërkesa.

Nga të dhënat e publikuara më herët nga Agjencia Evropiane për Azilin, rreth 2 mijë e 700 kërkesa të shtetasve nga Shqipëria të mbledhura gjatë vitit të shkuar janë në pritje për t`u shqyrtuar, ndërsa norma e njohjes së azilit është tejet e ulët për shtetasit shqiptarë duke mos e kaluar 3 për qindëshin e totalit të kërkesave që paraqiten në vendet e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, sipas një raporti të sapopublikuar të Agjencisë evropiane të statistikave EUROSTAT, shtetasit nga Shqipëria përbëjnë gjithashtu numrin më të lartë të leje qëndrimeve të marra në një vend të Bashkimit Evropian përgjatë vitit 2023 nga rajoni i Ballkanit.

Sipas EUROSTAT 74 mijë e 938 shtetas nga Shqipëria morën leje qëndrimi për herë të parë në një vend të Bashkimit Evropian në vitin 2023, ndërsa nga Kosova ishin 45 mijë e 568 shtetas që u pajisën me leje qëndrimi.

Sipas EUROSTAT, rreth 41 mijë e 760 shqiptarë morën leje qëndrimi për arsye familjare, 13 mijë e 144 për arsye të tjera të papërcaktuara, ndërsa 2 mijë e 450 për arsye edukimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore