Shqipëria

Hasani pret Abbott në nisje të mandatit si ambasador britanik në Tiranë


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e ri britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, pas emërimit të tij në këtë detyrë.

Sipas një publikimi në median sociale X, ish-Twitter, Hasani ka treguar se ka pasur një takim të mirë me Abbott dhe ka vlerësuar raportet tejet të forta mes dy vendeve, si edhe partneritetin e afërt.

“Duke i uruar sukses në rolin e tij të ri, teksa presim thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, energjisë dhe infrastrukturës dhe për të mirëpritur më shumë investime britanike në Shqipëri”, shkruan Hasani.

Më herët, Abbott ka lëshuar edhe një videomesazh për shqiptarët, ku ka treguar misionin dhe prioritetet e tija si ambasador në vend.

“Jam këtu për ta ngritur partneritetin tonë në lartësi të reja. Ne kemi një themel të fortë, kësisoj le të ndërtojmë diçka të jashtëzakonshme së bashku”, shprehet diplomati britanik.

Po ashtu ai vijon duke thënë se puna e tij do të fokusohet në ndërtimin e një partneriteti të vërtetë dhe për një të ardhme të ndritur.

“Ky është misioni ynë”, ka shtuar Abbott.

“Kemi disa evente emocionuese në horizont”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore