Sport

Neymar pralajmëron brazilianët e Real Madrid-it për Kylian Mbappe-n


Kylian Mbappe - Neymar

Neymar u ka dërguar një paralajmërim tre lojtarëve të Real Madrid-it mbi Kylian Mbappe-n.

Neymar dhe Mbappe luajtën rreth 136 herë së bashku te Paris Saint-Germain dhe u bashkuan për të shënuar në 54 raste përpara se i pari të kalonte në Al-Hilal dhe i dyti të siguronte një transferim te Real Madrid.

Por sipas gazetarit Cyril Hanouna, Neymar ka kontaktuar kontigjentin brazilian të Real-it, Vinicius Junior, Rodrygo dhe Eder Militao, duke i paralajmëruar ata se të luash me kapitenin e Francës ishte “katastrofike” nganjëherë.

Për “Europe 1”, Hanouna tha: “Brazilianët (te Real Madrid) janë miq me Neymar. Ka qenë gjithmonë një luftë mes Neymar dhe Mbappe. Neymar u ka dërguar një letër brazilianëve për Mbappe-n, duke u thënë se ishte katastrofike, se ishte ferr”.

Në të kaluarën, një varg raportesh kanë pretenduar se Mbappe dhe Neymar kishin një marrëdhënie të ftohtë te PSG, me Mbappe-n që pranoi në shtator 2022 se marrëdhënia e tij me yllin brazilian ishte “e nxehtë dhe e ftohtë”.

Mbappe tha: “Ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të bazuar në respekt, por gjithmonë kemi pasur momente të nxehta dhe të ftohta”.

“Ka periudha ku, siç e shihni, ne jemi miqtë më të mirë në botë dhe periudha të tjera ku flasim më pak. Është natyra e marrëdhënies sonë, por ka shumë respekt”.

“Kam shumë respekt për lojtarin që është, atë që përfaqëson dhe rëndësinë që ka në ekipin tonë”.

“Kur ke dy lojtarë me personalitete të forta të tilla, jeta nuk është lineare. Është e vërtetë që ndonjëherë ndodhin gjëra, por është gjithmonë respekt dhe në interes të PSG-së”, vijoi ylli i Francës.

Neymar vazhdon të rikuperohet nga një dëmtim në gju që pësoi vitin e kaluar në muajt e tij të parë te Al-Hilal.

Ndërkohë, Mbappe ka të ngjarë të paraqitet për Real Madrid-in në përballjen e parë të Champions League të martën në shtëpi ndaj Stuttgart-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore