Kosova

Osmani për punësimin e vëllait në BQK: Është i shkolluar, s’është analfabet


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se punësimi i vëllait të saj në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) si mbikëqyrës i lartë bankar është bërë në mënyrë të ligjshme, derisa e ka mohuar se ka ushtruar ndikimin e saj për ta punësuar Ramadan Osmanin.

“Nëse ka paligjshmëri në proces për një ekonomist me përvojë mbi 15 vjeçare në sistemin bankar në Kosovë, ka institucione të drejtësisë. Për dikë që ka 15 vjet përvojë bankare, për dikë që është i shkolluar, për dikë që di ta bëjë punën e vet mirë e jo për lloj lloj analfabeti”, tha Osmani gjatë një interviste në Kallxo.

Osmani ka theksuar se asnjë person në BQK nuk e njeh dhe se sipas saj, lidhja e presidentes me këtë institucion është “zero”.

“Nuk kam pas asnjë lidhje me këtë punë. Vëllai është emëruar në një proces të ligjshëm, në asnjë moment nuk kam thënë që njerëzit që kanë merita nuk duhet të punësohet në institucione publike”, ka shtuar Osmani.

Ndryshe, Ramadan Osmani, vëllai i presidentes është përzgjedhur për t’u punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) në pozitën: mbikëqyrës i lartë bankar.

Ramadan Osmani, sipas njoftimit të BQK-së, ka arritur të marrë 176 pikë (në mesatare) në testin me shkrim dhe intervistën nga 200 sa ishte totali i pikëve të mundshme.

Ndërsa në garë për këtë pozitë ishin katër kandidatë, ndërsa kandidati i dytë ka marrë 155 pikë, apo 21 pikë më pak se Osmani.

Po ashtu, mediat kishin raportuar se Banka Qendrore e Kosovës një kohë të gjatë ishte përballur me presione politike.

Këtë fakt e ka thënë edhe vetë ish-guvernatori Fehmi Mehmeti përmes një letre drejtuar presidentes Osmani.

“E nderuar znj. Presidente, përtej arritjeve të mëdha, muajve të fundit BQK është duke u ballafaquar me presione politike të cilat kanë synime të interferojnë në punën e pavarur dhe profesionale të BQK-së. Javët e fundit janë shoqëruar me disa ngjarje politike që godasin në thelb pavarësinë dhe profesionalizmin e BQK-së”, thuhej në letër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore