Kosova

Konfrontimi verbal me NATO-n dëmtoi mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit, thotë ish-kryeinspektori i AKI-së


Burim Ramadani

“Besoj që trumbetimi dhe konfrontimi deklarativ verbal me NATO-n dhe KFOR-in i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh mundësisë së hapjes së Urës së Ibrit”.

Kështu ka thënë ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, teksa ka theksuar se konfrontimi verbal i Qeverisë me NATO-n e ka dëmtuar mundësinë e hapjes së saj.

“Pra, ndonjëherë mund të shtrohet pyetja nëse këta pushtetarë vërtetë kanë dashur ta hapin urën apo kanë dashur vetëm të konfrontohen me NATO-n dhe ta vendosin NATO-n në një situatë jo të mirë para qytetarëve të Kosovës, por nuk ia kanë arritur, meqë qytetarët e Kosovës i besojnë NATO-s dhe duan që Kosova të jetë në NATO”, tha ai në një intervistë për KosovaPress.

Tutje, Ramadani ka theksuar se ideja e hapjes së plotë të kësaj ure për qarkullim duhet të rifillojë me komunikim strategjik me NATO-n.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se janë kryer të gjitha procedurat për hapjen e Urës, ndërsa tani po presin QUINT-in (SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën e Italinë) dhe KFOR-in.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një prononcim për gazetarë nga Veriu, pasi që ka vizituar atë pjesë të Kosovës javën e kaluar, ku ka vënë gurthemelin e një stacioni policor në Leshak të Leposaviqit dhe ka qëndruar në Mitrovicë të Veriut.

“Po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet, por Qeveria me të gjitha dikasteret e saj është e gatshme që ta bëjë hapjen, po i presim QUINT-in e KFOR-in. Ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik”, potencoi Kurti.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është duke insistuar në hapjen e plotë të urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pasi që aktualisht shfrytëzohet vetëm për këmbësorë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), kanë kundërshtuar hapjen e urës në këto momente, derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Kurti: Jemi gati për hapjen e Urës së Ibrit, por po e presim QUINT-in e KFOR-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore