Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, Sinani: Do çojë në shpërnguljen e të rinjve shqiptarë nga Lugina
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm në Serbi do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
Këto komente, Sinani i ka bërë përmes një shkrimi në Facebook, të titulluar “Shërbimi ushtarak i detyrueshëm në Serbi rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon”, pasi që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nënshkroi vendimin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për 75 ditë.
E para e Preshevës ka theksuar se kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit.
“Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviç-it synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit”, shkroi.
Sot, sipas Sinanit, historia rrezikon të përsëritet.
“Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, potencoi.
Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjët e saj, deklaroi tutje ajo.
“Përkundrazi, ngjarjet e fundit të 24 shtatorit në Banjskë na treguan se, ndërsa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut të Kosovës”.
Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit, Sinani konsideron se vjen pikërisht nga vetë Serbia.
“Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiç-it vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet”.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, ajo thekson se duan paqe, e jo tensione.
“Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja!”, përfundoi ajo.
Vuçiç nënshkruan vendimin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Shqiptarët që jetojnë në Serbi janë të shtypur sistematikisht nga regjimi atje. Madje, atyre nuk u lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.
Një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në Bashkimin Evropian, është pasivizimi i adresave që autoritetet serbe janë duke ua bërë shqiptarëve etnikë, posaçërisht në Medvegjë.
Së fundmi, shqiptarët në Serbi kanë organizuar edhe një protestë në Bujanoc, për identitet dhe dinjitet, dhe kanë paraljamëruar një tjetër në Preshevë.
Pas protestes në Bujanoc janë shfaqur grafite raciste dhe nxitëse të urrejtës në gjuhën serbe si “vdekje shqiptarëve”, “Kosova është Serbi” e të ngjashme, të cilat janë dënuar ashpër nga politikanët shqiptarë në Luginë, por jo nga autoritetet serbe.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
PSD: Kurti dhe Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiç-it sipas kritereve që kanë vendosur për Urën e Ibrit
-
Fidan: Të kesh marrëdhënie vëllazërore me Kosovën është obligimi ynë historik
-
PDK: Kurti përveç se degradoi standardin e jetesës, tash po rrezikon seriozisht të ardhmen politike të vendit
-
Pesë spitale regjionale pa asnjë mjekë të kirurgjisë
Lajmet kryesore
-
Në një Shtet ku Ligji Humb Midis Fushës dhe Korrupsionit: Komedia e Errët e Futbollit të Kosovës
-
Ngrihet Komitet i Përbashkët Konsultativ për integrimin e Shqipërisë në BE
-
Shkon në 37 numri i viktimave nga vala e dytë e shpërthimeve në Liban
-
PSD: Kurti dhe Sveçla janë bashkëpunëtorë të Vuçiç-it sipas kritereve që kanë vendosur për Urën e Ibrit