Kosova

Ambasadori suedez: BE-ja s’ka kohë për urën e Ibrit, fokusi është në Ukrainë


Jonas Westerlund

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, beson se fokusi aktual i Bashkimit Evropian është në agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, andaj nuk ka kohë të diskutojë për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

“Që të dyja vendet, edhe Kosova edhe Suedia, janë shtete të vogla dhe duhet ta kuptojmë se çfarë po ndodh në Evropë tani me agresionin rus mbi Ukrainën. Koha është që të fokusohemi aty dhe se si Kosova, Suedia e aleatët tjerë mund ta ndihmojnë Ukrainën nga Rusia, e cila po rrezikon edhe sigurinë evropiane. Pra, këtu duhet të jetë fokusi dhe nuk ka kohë për diskutime rreth Urës në këtë moment”, tha ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Ndonëse Westerlund nuk është kundër hapjes së urës mbi lumin Ibër që bashkon Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, ai vlerëson se ky vendim duhet të merret në momentin e duhur në atë mënyrë për të maksimizuar rezultatin.

“Ura duhet të hapet, besoj që të gjithë pajtohemi për këtë, pyetja është kur dhe si. Në pikëpamjen time duhet të behet në përputhje me konsultime të popullsisë në dy anët e lumit dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky është një problem simbolik, në realitet ka shumë ura tjera të hapura ku mund të qarkullojnë veturat e këmbësorët në Ibër”, shtoi ai.

Për ambasadorin suedez, pyetjet se kur dhe si duhet të hapet ura, i takojnë popullsisë në të dy anët e lumit, bashkërisht në konsultime me komunitetin ndërkombëtar.

Ai ka shtuar se nuk dëshiron të spekulojë nëse vendimet e fundit të Qeverisë po bëhen për poena politike në prag të zgjedhjeve, ndërsa ka kërkuar koordinim më të mirë me bashkësinë ndërkombëtare.

“Nuk dua të spekuloj (se këto veprime po bëhen sepse jemi në prag të zgjedhjeve). Do ta vlerësonim shumë nëse disa nga këto çështje do të diskutoheshin me komunitetin ndërkombëtar para se të ngriheshin problemet. Kjo është theksuar në disa raste ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe kryeministrit Kurti”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore