Gjykata Speciale

Specialja pranon me shkrim dëshmitë e nëntë dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së


Ilustrim

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se Trupi Gjykues ka pranuar dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Thaçi dhe të tjerët.

Veç kësaj, më 5 shtator, Trupi Gjykues ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorisë Speciale për të lejuar pranimin e disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës.

“Trupi Gjykues theksoi se mbrojtja nuk kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Të njëjtën ditë, Trupi Gjykues ka miratuar edhe një kërkesë të ZPS-së që dhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës, meqë kjo është më e favorshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Trupi Gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet videokonferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre.

Deri më tani në rastin e Thaçit dhe të tjerëve Gjykata Speciale ka dëgjuar mbi 75 dëshmitarë.

Deri në përfundim të procesit, Specialja kishte njoftuar se pret të dëgjojë rreth 300 dëshmitarë në këtë rast.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ish-kryeparlamentarët kosovarë, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Rexhep Selimi akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Ndërsa të njëjtit ishin arrestuar nga Specialja në nëntorit e vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore