Lajme

Akuzat e Bardhit rreth kreut të Policisë Shkodër marrin përgjigje nga të majtët: Të pavërteta, oficer model


Disa akuza të bëra nga kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ku ai pretendon se drejtori i Policisë Shkodër, Edmond Sulaj, figuron në përgjimet e rrjetit SkyECC, kanë marrë përgjigje nga të majtët, duke i quajtur krejtësisht të pavërteta.

Sipas ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, jo vetëm që këto akuza nuk qëndrojnë, por Sulaj është një “oficer model”.

Kështu përmendi ai gjatë seancës plenare të 12 shtatorit.

“Zotëria ‘Mondi’ është me gradën drejtues i parë dhe mban postin e drejtorit të Policisë në Shkodër. Kam punuar me Edmond Sulajn dhe është një nga oficerët në karrierë, që ka treguar aftësi dhe integritet gjatë gjithë karrierës së tij. Ai ka 27 vite punë. Sulaj ka marrë detyrën në vitin 2023. Sulaj u zgjodh sipas meritës me konkurs”, ka artikuluar Hoxha.

Nga ana tjetër, vetë Bardhi i është përgjigjur me akuza ministrit, duke e etiketuar atë si një “zëdhënës” të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili ka rënë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për një sërë çështjesh.

“Nuk i dija që Pëlllumb Gjoka ka shtuar zëdhënësit. Ndryshuat edhe ligjin, për të emëruar kreun e Gardës”, ka thënë Bardhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore