Kosova

MPJD pagoi dy kompani mbi 300 mijë dollarë për lobim në SHBA, u angazhuan në çështje dhe politikanë të njëjtë


Flamuri i Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Dy kompanitë e kontraktuara për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në shumicën e rasteve kanë kontaktuar të njëjtit politikanë amerikanë për të diskutuar për çështjet e njëjta në po të njëjtat ditë.

Sipas kontratave të publikuara në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë, Avni Mustafaj, pronar i kompanisë Ambal LLC dhe Afërdita Rakipi, pronare e kompanisë Afërdita Rakipi Communications ishin kontraktuar individualisht me nga 147 mijë euro.

Por, nga shkurti deri në fund të korrikut të 2024-së, ata kanë funksionuar sikur të ishin një kompani e vetme.

Nga 13 kontaktet e raportuar nga Mustafaj, të gjitha janë identike me ato të raportuara nga Rakipi.

Rakipi ka raportuar edhe për dy kontakte shtesë, një takim më 11 mars dhe një takim më 24 maj.

Mustafaj dhe Rakipi, kanë pasur kontrata njëvjeçare të njëjtat i kishin marrë më 26 qershor dhe tashmë atyre u kanë skaduar.

Sipas dokumenteve në të cilat është bazuar Radio Evropa e Lirë, MPJD pagoi kompanitë e Rakipit dhe Mustafajt plot 351.8 mijë dollarë, ku përfshihen edhe shpenzime shtesë, përveç shumës së paraparë në kontratat fillestare.

Ndërsa në gjashtëmujorin e dytë të lobimit të tyre në SHBA, Rakipi dhe Mustafaj, kontaktuan politikanë amerikanë kryesisht përmes e-mailit.

Por, megjithatë dokumentet tregojnë se edhe gjatë kohës kur ata kanë lobuar përmes e-mailit ata kanë raportuar shpenzime për fluturime dhe qëndrime nëpër hotele.

Ata kanë shpenzuar mijëra dollarë për fluturime, hotele dhe transport me taksi.

Nga dokumentet e publikuara në FARA bëhet e qartë se Mustafaj sërish ka shpenzuar para gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Kurse, Mustafaj dhe MPJD-ja s’janë përgjigjur në pyetjet e REL-it se si kanë shërbyer këto aktivitete në Kosovë.

Nga viti 1992, parti politike e institucione qeveritare kanë shpenzuar miliona euro për lobim në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore