Sport

Djokovic në hije, Sinner – Alcaraz sjellin epokën e re të Grand Slam-it


Jannik Sinner - Novak Djokovic - Carlos Alcaraz

Një sezon me ndryshim epokash në Grand Slam, i dominuar nga Jannik Sinner (23 vjeç) dhe Carlos Alcaraz (21 vjeç) ka dhënë shenjën më të qartë se epoka e “treshes së madhe” të tenisit për meshkuj më në fund ka përfunduar, me Novak Djokovic (37 vjeç) i destinuar të jetë i fundit i saj.

Rregulli i artë që kurrë nuk duhet ta nënvlerësoni Djokovic-in është ende i vërtetë, por pasi ai, Rafa Nadal dhe Roger Federer kishin fituar të paktën një titull Grand Slam mes tyre çdo sezon që nga viti 2003, këtë vit nuk pati asnjë.

Sinner ngriti titullin e US Open të dielën pas triumfit të tij të madh në Australian Open në janar, ndërsa Alcaraz fitoi French Open dhe Wimbledon për të shënuar herën e parë që nga viti 1993 që meshkujt e moshës 23 vjeç e poshtë kishin rrëmbyer Grand Slam-et.

“Është pak më ndryshe, sigurisht. Është diçka e re, por edhe e këndshme për t’u parë”, tha Sinner, i cili kapërceu shpërqendrimin e një polemike dopingu për të ndihmuar në fillimin e një epoke të re.

“Është bukur të shohësh kampionë të rinj. Është mirë të shohësh rivalitete të reja. Mendoj se është mirë që sporti të ketë disa kampionë të rinj”, theksoi italiani.

Dominimi i jashtëzakonshëm i “treshes së madhe” i pa ata të fitojnë 66 nga 81 turnetë Grand Slam nga titulli i parë i Federer-it në Wimbledon në 2003 deri në titullin e 24-të të madh të Djokovic-it në Flushing Meadows vitin e kaluar.

Me Federer-in në pension dhe Nadal-in të penguar nga dëmtimi, Djokovic i vetëm mbajti brezin e ri në 2023 duke fituar tre nga katër kampionatet kryesore dhe duke përfunduar si numri një i fundvitit për të tetën here, rekord.

Këtë vit, Djokovic duroi një fushatë të dobët Grand Slam sipas standardeve të tij të larta, duke filluar me një humbje gjysmëfinale ndaj Sinner në Melbourne Park dhe duke vazhduar me një tërheqje të detyruar nga dëmtimet nga çerekfinalet në Roland Garros.

I mundur nga Alcaraz në finalen e Wimbledon, ai pësoi një disfatë nga Alexei Popyrin në raundin e tretë të US Open dhe u përjashtua nga garat kryesore për herë të parë që nga sezoni i tij i rrënuar nga dëmtimet 2017.

Megjithatë, ai bëri një përpjekje të mrekullueshme për të larguar rivalët shumë më të rinj në Lojërat Olimpike të Parisit, duke përfshirë Alcaraz-in në finale, dhe për të marrë medaljen e artë që e kishte lakmuar prej kohësh.

“Nga një këndvështrim më i gjerë, sigurisht, unë duhet të jem i kënaqur”, tha Djokovic pas daljes së tij nga US Open.

“Është e vështirë të shohësh perspektivën e madhe tani. Ti je thjesht i zemëruar dhe i mërzitur që humbe dhe mënyrën se si luajtët. Por nesër është një ditë e re. Padyshim që do të mendoj se çfarë të bëj më pas”, vijoi serbi.

Pasi mbushi 37 vjeç në maj, Djokovic tashmë e ka kaluar moshën në të cilën çdo njeri ka fituar një titull Grand Slam dhe përfundimi i sezonit në krye të renditjes duket si një detyrë e pamundur në muzgun e karrierës së tij.

Një objektiv më i rëndësishëm për një njeri që ka pasur gjithmonë një respekt të madh për historinë e lojës mund të jetë fitimi i një Grand Slam të 25-të për të kapërcyer rekordin e Margaret Court.

Askund nuk ka më shumë gjasa të ndodhë kjo se sa në Australian Open të janarit, ku Djokovic-i e ka ngritur trofeun një rekord 10 herë në 19 paraqitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore