Kosova

Joseph: Serbët janë afër heqjes dorë nga jeta në Kosovë – rezultat që i konvenon Serbisë e Rusisë për të minuar rendin perëndimor


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues në Shkollën për Studime të Avancuara në “Johns Hopkins” në Uashington, ka thënë se serbët e Kosovës janë “afër heqjes dorë nga jeta në Kosovë” pas “fiaskos” në Banjskë – një rezultat që, sipas tij, do t’u shkonte përshtati vetëm planeve serbe dhe ruse për të minuar rendin perëndimor e multietnik në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.

Në një artikull autorial të botuar në revistën amerikane “Foreign Policy” të martën, ai ka kritikuar kryemenistrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkak të “lëvizjeve provokuese” në veri të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe, duke thënë se “veprimet e njëanshme” të Kurtit rrezikojnë të “zhbëjnë” kushtetutën e Kosovës e cila garanton një vend të sigurt për pakicën serbe.

“Kurti, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së, ka vazhduar ‘instrumentalizimin’ e policisë së Kosovës në veri pas vendimit katastrofik të besnikëve të Serbisë për t’i larguar serbët nga forca policore dhe institucionet e tjera në nëntor 2022”, ka theksuar Joseph, ndërsa ka shkruar rreth nevojës për ridefinimin e politikës së jashtme amerikane nën administratën e re.

“Kurti vazhdon populizmin e papërgjegjshëm për një arsye kundërintuitive: Qytetarët e Kosovës, dhe shumë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi e shohin Kurtin figurën e vetme që i kundërvihet Serbisë, ndaj së cilës nuk ka pasur asnjë pasojë për veprimet apo mosveprimet që çuan në konfrontim të dhunshëm me paqeruajtësit e NATO-s”, ka shtuar mes tjerash Joseph.

Ndryshe, ditëve të fundit kanë qarkullar “informacione” se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës, posaçërisht atyre që përbëjnë shumicën në veri të vendit, në rajonin e Sanxhakut. Agon Maliqi, analist i politikës ballkanike e aktivist i shoqërisë civile, ka argumentuar së fundi se Qeveria e Kosovës rrezikon të bjerë në “grackën” e Serbisë dhe Rusisë.

Maliqi: Kosova rrezikon të bjerë në kurthin e Serbisë dhe Rusisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore