Shqipëria

Zgjedhjet 2025, Rama: Deputetët me më shumë se 1 mandat, në garë të hapur


Ka nisur mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh dhe kryetar i PS-së, Edi Rama e nisi fjalën e tij duke thënë se” sot hapim një kapitull të ri të kësaj familje”.

“Ne do nisemi drejt përballjes për mandatin e katërt. Për 6 muaj duhet jetë gati të zbresë në fushë skuadra jonë përfaqësuese, PS 2030 për Shqipërinë 20230. Pjesëtarët do jenë 187, ku 140 prej tyre në listën e hapur të votimeve dhe 47 në listën e mbyllur të Partisë”.

Rama nënvizoi se, “është e udhës të ndaj me ju që sot se më e mira është që deputetët me më shumë se 1 mandat, pa përjashtuar dhe drejtuesit politikë të qarqeve që hyjnë në këtë kategori, ku bëj pjesë dhe unë personalisht, të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerët”.

“Ndërsa në listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre, të cilët do të kenë detyra specifike drejtuese dhe koordinuese si për shembull sekretari i përgjithshëm apo drejtuesi i ri politik i Diasporës, në kushtet kur do të jetë edhe hera e parë e pjesëmarrjes në zgjedhje të shqiptarëve jashtë atdheut”, tha Rama.

“Kjo do të thotë se pjesa kryesore e listës së mbyllur do të jenë deputetë me vetëm një mandat dhe të rinj e të reja të cilët do të fitojnë vendin në atë listë duke spikatur prej sot e deri në shkurt në garë individuale nga brenda ose nga jashtë partisë, në mbështetje të shumicës tonë qeverisëse, me angazhim politik në komunitetet e tyre të banimit apo të përkatësisë profesionale në terren dhe në rrjetet sociale”, tha Rama.

Ai u shpreh optimist se PS do të fitojë përsëri, ndërsa opozita do të humb sërisht.

“Disa thonë se ne fitojmë se përdorim pushtetin për të marr votat, dhe që ne i blejmë votat dhe kemi fituar se nuk kemi pasur alternativë dhe se ata vetë ofrojnë alternativë, disa thonë se ne fitojmë se Shqipëria është diktaturë dhe se ndërkombëtarët mbyllin sytë përballë diktaturës në të cilën jemi. Dhe të tjera budallallëqe. Çdo njeri i arsyeshëm që sheh me sytë e vet dhe dëgjon me veshët e vet e kupton kollaj se ne fitojmë dhe do të fitojmë përsëri. Ndërsa kundërshtarët qofshin të rinj apo të vjetër humbin dhe do të humbin”, tha ai.

Madje bëri një parashikim edhe për rezultatin e PD, ndërsa tha se do marrë më pak mandate se në vitin 1997. Në atë kohë PD ka fituar 25 mandate.

Në fjalën e mbajtur para Asamblesë Kombëtare, Rama tha se ata merren tërë ditën e perëndisë vetëm me ne, dhe “asnjë ditë nuk bëjnë punën e tyre, për të mbjellë besimin në popull për veten e tyre”.

Rasti Pogradecit

Rama ka reaguar sërish për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga, në Pogradec. Gjatë fjalës së tij, në Asamblenë Kombëtare Socialiste, ai tha se autori i krimit nuk kishte mbrojtje politike, por viktima ishte pjesë e PS dhe punonte në OSHEE.

Rama ka thënë se ngjarja u manipulua, nga kundërshtarët politikë, të cilët merren gjatë gjithë ditës me punët e Partisë Socialiste, ndërsa vetë nuk bëjnë asnjë punë.

“Në politikë dhe në media u mobilizuan ta manipulojnë ngjarjen kriminale të ndodhur në Pogradec. Me shpejtësinë marramendëse u prodhua një film i kronikës së zezë për të prodhuar të gjitha të pavërtetat e mundshme”, tha Rama.

Në vijim, Kryeministri tha se u tha se Pogradeci ishte kthyer si një Siçili e viteve ’80 dhe kjo ishte një gënjeshtër.

“U tentua të thuhej se Policia kishte tentuar të fshihte krimin. U bërtit fort se ambulanca kishte vajtur me 40 minuta vonesë. Por edhe kjo ishte një gënjeshtër. U përhap përralla se autori i krimit kishte mbrojtje politike, ngaqë një dajë i tij, ishte eksponent politik në Pogradec. Edhe kjo ishte një gënjeshtër. Partia Socialiste nuk mbron as ministrat dhe jo më të mbrojë këtë dajën, që është i dënuar, dhe nuk ka asnjë lidhje sot me Partinë Socialiste.Viktima po, ishte anëtar me teser i PS-së, nuk ishte pronar lokali, por punonjës i OSHEE”, tha Rama.

Referuar ngjarjes së Pogradecit, Kryeministri u ndal te revolta që krijoi Prokurori që me papërgjegjshmërinë e tij, pa bërë asnjë hetim, e klasifikoi krimin si “vrasje nga pakujdesia”.

“Policia kishte dorëzuar dosjen me prova dhe fakte në Prokurori. Por Prokuroria e Korçës për të larë të trashin me të hollin, vajti dhe mori nën hetim edhe një punonjës të patrullës policore. Prokuroria bëri politikë, në vend që të bënte hetimin”, tha Rama.

“Pensionet, sfida më e madhe e transformimit ekonomik që po sjellim”

Edi Rama foli edhe për situatën ekonomike në vend, rritjen e pagave si edhe pensionet.

Sa i përket situatës ekonomike në vend, kryeministri Rama tha se ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke risjellë në vëmendje rritjen e pagave.

“Kemi menduar që çdo vit rritjen ekonomike ta bëjmë më gjithëpërfshirëse. Kjo mbetet sfida jonë më e madhe drejt Shqipërisë 2030. Fitorja e kësaj sfide nuk kërkon vetëm fuqizimin e mëtejshëm financiar. Kjo sfidë kalon medoemos te pensionistët, për të cilët kemi bërë sa kemi mundur dhe nuk na ka gënjyer kurrë mendja se kemi bërë sa duhet”.

Sipas tij, “pensionet janë pjesa më sfiduese e transformimit ekonomik që ne po sjellim. Pensionistët dinë ta çmojmë më mirë se kushdo tjetër punën tonë për Shqipërinë ndaj edhe na kanë votuar”.

“Këta të diplomave të kristalit dhe të titujve të Facebook, i konsiderojnë si një turmë që shkon qorrazi pas PS. Por pensionistët këtyre u japin jo ujë në bisht të lugën, por u japin lugën që kur ata të shkojnë në shtëpi të kuptojnë që e kanë bosh. Javën e dytë të muajit të ardhshëm do të fillojmë edhe informimin mbi zbatimin e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore. Prej muajsh po punohet nga një grup ekspertësh. Për të shkuar përtej nivelit aktual të bonusit të fundvitit dhe indeksimit të pensioneve”.

“Komisioni antikorrupsion do të shkojë deri në fund, i nevojshëm për negociatat me BE”

 Kryeministri Rama deklaroi sot se, Komisioni për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin do të shkojë deri në fund nën drejtimin e Fatmir Xhafajt.

Në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së në Durrës, Rama u shpreh se, “sa shumë llafe dhe teori konspiracioni u bënë për projektin tonë të ri të Mirëqeverisjes, Sundimit të Ligjit dhe Antikorrupsionit. Jo i ka zënë frika nga SPAK-u, jo duan të vënë nën kontroll drejtësinë, jo u bënë bashkë me non gratën për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe ku di unë çfarë fantazish të tjera akoma”.

Në fakt, theksoi Rama, “krejt e kundërta e gjithë këtyre është e vërteta e atij projekti, i cili nisi pavarësisht të gjithë rezistencës absurde të atyre që s’e kanë idenë as të shtetbërjes evropiane dhe as të përmbajtjes së procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Që ka drejtpërdrejt nevojë për këtë projekt”.

“Ky projekt do të shkojë deri në fund, nën drejtimin e kolegut dhe shokut tonë Fatmir Xhafaj, pavarësisht nëse do të duan apo nuk do të duan ata që deri tani nuk duan”, tha Rama.

Po ashtu, shtoi Rama, “do të bëhet publik së shpejti dhe do të shkojë deri në fund edhe projekti ynë i ri i Shqipërisë transparente, i cili do të shlyejë deri në fund borxhin që u kemi akoma qytetarëve tanë lidhur me sasinë dhe cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarrjet tona në çdo nivel”.

Asambleja Kombëtare u zgjodh nga votat e delegatëve të Kongresi Zgjedhor i PS në 28 korrik të këtij viti.

Ajo ka rreth 350 anëtarë, nga të cilët Kongresi zgjodhi vetëm 156 prej tyre.

Kjo pasi pjesa tjetër zgjidhen automatikisht për shkak të funksioneve drejtuese që kanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore