Kosova

Politika e Serbisë është bllokimi i anëtarësimit të rajonit në BE, shihni raportet e Kosovës me Perëndimin – thotë Bugajski


Janusz Bugajski

Për Janusz Bugajskin, gazetarin dhe njohësin e dinamikave në Ballkanin Perëndimor, është e qartë tashmë se politika e Serbisë, në këtë rast të Aleksandar Vuçiç, është bllokimi me çdo kusht i përparimit të rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kështu Vuçiç, në vlerësimin e Bugajskit, e përforcon fushatën e tij për të ushtruar dominimin serb në Ballkanin Perëndimor.

“Beogradi llogarit se anëtarësimi në BE për çdo shtet fqinj do të zvogëlojë ndikimin e tij, do të rrisë pabarazitë ekonomike me një Serbi të ndenjur dhe do të rrisë rolin e vendeve që luftojnë ndikimin rus në Evropë”, shkruan ai në një opinion të publikuar në The Geopost.

Objektivat kryesore të Beogradit në fushatën e tij kundër anëtarësimit në BE, beson Bugajski, janë Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Për të argumentuar një gjë të tillë, Bugajski e jep si shembull Kosovën, gjegjësisht raportet e plasaritura të Qeverisë me komunitetin ndërkombëtar.

“Kosova është nën presion të vazhdueshëm për të provokuar qeverinë e saj, për të ndezur mosmarrëveshje me zyrtarët e BE-së dhe për të thyer shtetin në mënyrë që të mos kualifikohet për hyrje në BE në të ardhmen”, shkruan ai.

Me agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë një nga qëllimet kryesore të Perëndimit ishte bllokimi i një efekti domino që ky konflikt mund të shkaktojë në rajone edhe ashtu të brishta për nga aspekti i sigurisë.

Kundër-ofensiva e suksesshme ukrainase brenda territorit rus në muajt e fundit shtoi edhe më shumë brengën e Perëndimit se Moska tashmë me doemos ka nevojë edhe për një vatër tjetër konflikti për ta shpërqendruar sadopak vëmendjen e shtuar të hemisferës perëndimore mbi zhvillimet në euroazi.

Në dritën e kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në koordinim të plotë me Bashkimin Evropian, në përditshmëri bënin thirrje për bashkëpunim e dialog duke dënuar me terme më të ashpra të gjitha veprimet që mund të nxisnin tensione dhe rrjedhimisht konflikt eventual.

E gjithë kjo thirrje hasi në veshin e shurdhër të Qeverisë së Kosovës, e cila që nga fillimi i invazionit rus në mënyrë konstante befasoi aleatët e saj me politikat sovraniste në Veri të Kosovës, të cilat jo rrallë herë përfunduan me përkeqësimin e situatës së sigurisë në terren.

Rusia, për analistin politik Petrit Zogaj, i di shumë mirë shtetet të cilat janë të rrezikuara nga shpërthimi i konflikteve për të cilat ajo do të bënte çmos që t’i aktivizonte.

Njëra nga këto shtete përveç Gjeorgjisë, Moldavisë e Bosnje e Hercegovinës është edhe Kosova.

Duke marrë parasysh raportet e Serbisë me Rusinë, Zogaj potencon se për SHBA-të dhe BE-në në këtë fazë është jashtëzakonisht e rëndësishme që Rusia të mos tentojë që të fillojë edhe një konflikt në Evropë në atë mënyrë që t’i bëhet më lehtë lufta në Ukrainë dhe e dyta ta shndërroi kontinentin në një zonë lufte, kaosi e pasigurie.

Në drejtim të kundërt të kësaj qasjeje, sipas Zogajt, aktualisht po vepron Qeveria e Kosovës.

Kosova, në vlerësimin e tij, për disa vite tashmë po ndjek një politikë tensionuese në raport me Perëndimin për gjoja një narrativ të shtrirjes së sovranitetit në Veri të vendit.

“Kjo politike, së pari ka krijuar një hendek mosbesimi te mbështetësit e Kosovës, dhe e dyta, nga leximet ndërkombëtare, po krijon një klimë tensioni brenda Kosovës përmes një prezence policore dhe të autoritetit politik jo legjitim në katër komunat e veriut”, thotë ai për Albanian Post.

Kjo dinamikë e krijuar në Kosovë, për Zogajn, është edhe arsyeja kryesore që Shefi i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, vizitoi Kosovën, pas vizitave në Bosnje e Hercegovinë e Serbisë.

“Asnjëra prej këtyre tri shteteve nuk janë pjesë e NATO, çka do të thotë që nuk kanë komunikim të brendshëm sa i përket çështjeve të sigurisë, prandaj duhet vizita direkte që të përcillen mesazhe të qarta kur bëhet fjalë për veprime të njëanshme që do të destabilizonin Ballkanin”, shton ai.

Edhe për Gëzim Visokën, profesorin e Universitetit të Qytetit të Dublinit (DCU) në Irlandë, vizita e Burns, duhet lexuar si paralajmërim për forcat destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Paralajmërim ky i cili ndërlidhet, siç vlerëson Visoka, me faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndryshojnë qasjen dhe të përdorin mekanizma të tjerë për zbatuar politikën e tyre të jashtme.

“Ndonëse është vështirë ta dimë arsyen e vërtetë të vizitës së Drejtorit të CIA-s në Bosnie dhe Hercegovinë dhe Serbi, mund të spekulojmë se kjo vizitë paraqet një fazë të re të përpjekjeve amerikane për të ruajtur stabilitetin në rajon. Duket se jemi duke lëvizur nga diplomacia e nivelit të ulët të udhëhequr nga ambasadorët amerikanë në rajon drejt një diplomacie të inteligjencës dhe paralajmërimit dhe ndëshkimit kredibil nga Uashingtoni”, thotë ai për Albanian Post.

Këto vizita në pikëvështrimin e Visokës duhet lexuar edhe në kontekstin e luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

“Kam përshtypjen se ndërhyrja e Ukrainës në territorin rus ka ndryshuar dinamiken e luftës atje dhe reagimi rus mund të vijë në shumë forma, përfshirë dhe aktivizimin e planeve të tyre për të destabilizuar rajonet e tjera ku SHBA-të dhe BE-ja mund të dëmtohen dhe çorientohen”, argumenton ai.

Nëse ky lexim është i saktë atëherë, beson Visoka, vizita e Drejtorit të CIA-së në rajon “është shenjë që mund të ketë lëvizje destabilizuese me qëllim të dëmtimit të perëndimit”.

Rusia, përfituesja e moskordinimit të Kosovës me Perëndimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore