Kosova

Sqarimi i zv.ministrit të Drejtësisë për Ligjin e Byrosë tregon sërish për “shkelje thelbësore” dhe “qasje të gabuar”


Foto: Albanian Post

Nëse Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë mbetet i hartuar sipas versionit të prezantuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili theksoi se “nuk do të jetë e nevojshme të sigurohen prova për të identifikuar se kush ka kryer vjedhje, pasi politikanët e korruptuar do të dallohen përmes stilit të jetesës dhe pasurisë”, ekziston frika se ky ligj sërish do të përballet me shkelje kushtetuese dhe do të konsiderohet i papranueshëm.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë, deklarojnë se me ato që deri tani janë thënë për këtë ligj dhe formën se si po hartohet është duke pasur insistim nga Qeveria që të shkelet Kushtetuta.

Avokati dhe njohësi i çështjeve të Drejtësisë, Xhevdet Smakiqi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post u shpreh se kjo qasje do të shkelë edhe Konventat Ndërkombëtare.

“Në veprimet e Qeverisë Kurti, nuk ka rastësi as gabime por qëllime për ta shkatërruar sigurinë juridike në rendin kushtetues të Kosovës, përmes ligjeve që shkelin jo vetëm parimet kushtetuese, por edhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirëve të njeriut përfshirë në rastin konkret të drejtën e pronës private”, ka thënë Smakiqi për Albanian Post.

Nga këndvështrimi i tij, deklaratat e Sallahut janë “primitive” dhe “joprofesionale”.

“Këto lloj deklarimesh të zyrtarëve me përgjegjësi ligjore dhe politike siç është pozita e zv.ministrit të Drejtësisë, në shtetet demokratike normale të Bashkimit Evropiane prodhojnë pasoja të menjëhershme të dorëheqjes apo shkarkimit nga pozita”.

Ilustrim

Duke shtuar se në Ligjin për Byronë edhe “në procedurë të hartimit të dytë ka shkelje thelbësore të hartimit të projektligjit”.

Të njëjtat qëndrime si Smakiqi, i ka edhe avokati Florim Shefqeti, i cili konsideroi se kjo qasje është e gabuar.

Ai në një përgjigje për Albanian Post u shpreh se kjo normë juridike s’mund të ketë mbështetje ligjore.

“Konsideroj se çdo qasje e cila në parim cenon parimin e prezumimit të pafajësisë dhe parimin e barrës së provës e që dihet se barra e provës bie mbi organin e akuzës, është qasje e gabuar dhe pa mbështetje ligjore”.

Si e tillë, ai thekson se ligje të hartuara në këtë mënyrë s’duhet të pranohen.

“Juridikisht, i papranueshme si standard i vendosur nga Kushtetuta e Kosovës, por edhe praktika e  Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDN)”, thotë Shefqeti për AP.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur antikushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi kishte gjetur plotë 10 pika në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Prandaj, Gjykata ka vendosur “të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.

Në vendim ishin dhënë edhe të gjitha nenet dhe paragrafët ku janë diktuar shkeljet kushtetuese të ligjit që qeveria e proklamonte si ligji që do të mundësonte reformën në drejtësi.

Gjykata ka gjetur se ligji për Byron provonte të përmbyste krejtësisht funksionimin e sistemit juridik në Kosovë ku më nuk do të kishin barrën e provës organet akuzuese, por vetë individi që po akuzohej.

Pra, siç e shpjegoi gjykata, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’”.

Me këtë ligj, krejt çfarë duhej të ndodhte ishte që gjykata “beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo”, e jo ta provojë faktikisht krejtësisht.

Për më tepër, dhe përderisa Byroja Shtetërore ka barrën fillestare të argumentimit që pasuria konfiskimi i të cilës propozohet është e pajustifikuar, barra për të dëshmuar që pasuria në fakt është e justifikueshme, bie mbi individin.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Në Kosovë që nga viti 2018, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për të konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale, sipas të njëjtit prokurori duhet të dëshmojë se pasuria e listuar për verifikim është pasuri e të pandehurit.

Ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë se atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme, për të cilat duhet të ofrojë prova, në të kundërtën, ajo konfiskohet nga gjykata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore