Misioni i SHBA-ve në OSBE: Veprimet e “pakoordinuara” dhe “provokuese” të Kosovës po vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it
Katherine Brucker e Ngarkuara me Punë në misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të enjten në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, ka shprehur edhe njëherë shqetësimin e SHBA-ve për veprimet e “pakoordinuara” dhe “provokuese” të Qeverisë së Kosovës në Veri të Kosovës.
Këto veprime – mbyllja e komunave paralele të Serbisë në Kosovë – sipas Brucker, po vënë “në rrezik të madh” jetën e qytetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it si dhe “po minojnë reputacionin e Kosovës si një partnere e besueshme ndërkombëtare”.
“Veprimet kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ në jetën e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”, ka thënë Brucker, thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga misioni i SHBA-ve në OSBE.
Brucker, ndër të tjera, ka potencuar se çështjet që kanë të bëjnë me “strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen në procesin e dialogut e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
“Dialogu i normalizimit i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mënyra për të siguruar që Kosova të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj dhe të përparojë në rrugën e saj evropiane. Ne përsërisim thirrjen tonë për Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara me urgjencë në zbatimin e marrëveshjes që arritën në mars 2023. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara besojnë se normalizimi duhet të çojë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
“Pikë Uji” – Një pasqyrë pa dashur të mbajë anë, thotë skenaristja Ajola Daja për Albanian Post
-
Shqipëria jep 5 milionë euro për investime në bujqësi në 2024
-
Kush ishte Ibrahim Aqil – komandant i njësive elitare të Hezbollahut – i vrarë nga një sulm izraelit
-
Kurti do të marr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë