Kosova

Gërvalla: Hapja e Urës së Ibrit, simbol i pajtimit dhe bashkimit


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar që Ura e Ibrit duhet të hapet dhe se Kosova është e përkushtuar ta zbatojë ligjin në çdo cep të territorit.

Kështu ka deklaruar Gërvalla në një konferencë për media me ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, duke thënë se tashmë ka siguri në Veri.

“Kemi diskutuar edhe për sigurinë në Veri të vendit, e në veçanti për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe bashkimit”.

“Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive të tyre etnike”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministrja finlandeze, Elina Valtonen.

Ministrja finlandeze deklaroi se Kosova është e gatshme të thellojë edhe më tepër bashkëpunimin me Kosovën, përfshirë në fushat si digjitalizim, energji të pastër.

“Ne e kemi mbështetur Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe jemi po ashtu mbështetës në rrugën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s…Finlanda është e gatshme të punojë intensivisht për t’i shtuar raportet tona tregtare dhe forcuar sektorët premtues të vendeve tona si digjitalizimi, energjia e pastër”.

Teksa ka theksuar se çështje diskutimi mes tyre ka qenë edhe dialogu Kosovë-Serbi.

“Kemi biseduar për agresionin rus në Ukrainë dhe për Finlandën është e qartë se Ukraina ka nevojë të mbështetet dhe Finlanda do ta mbështesë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Diskutuam për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jemi të gatshëm të bëjmë çfarë të mundemi të ju mbështesim në rrugën e normalizimit”, tha Valtonen.

“Ne në Kosovë e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër ndoshta rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të drejtës për vetëvendosje”.

Pas Gërvallës, Valtonen do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit.

MPJ e Finlandës, kishte njoftuar se qëllimi i vizitës është forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës me Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, gjatë takimeve është thënë se do të diskutohet për marrëdhëniet dypalëshe, zgjerimin e BE-së, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, për situatën në Ukrainë dhe çështjet aktuale që lidhen me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore