Kosova

KFOR-i: Forcat e shtuara të mërkurën në Urën e Ibrit janë pjesë e një trajnimi


Forcat dhe mjetet e shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-së, KFOR, kanë sqaruar se rritja e numrit të pjesëtarëve të saj ka ndodhur për shkak të disa trajnimeve periodike që janë duke kryer tek Ura e Ibrit në Mitrovicë.

KFOR-i përmes një përgjigje për Albanian Post tha se kjo po bëhet për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale.

“Forcat dhe mjetet e shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, të cilat u vunë re edhe të mërkurën në urën e Ibrit në Mitrovicë, janë të përkohshme dhe pjesë e një trajnimi periodic”, ka thënë KFOR-i për AP.

Të njëjtit kanë thënë se janë duke e monitoruar situatën e sigurisë në Veri të Kosovës dhe mbesin vigjilent.

“KFOR-i është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj të OKB-së për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës”.

Edhe të shtunën KFOR-i njoftoi se trupat që janë shtuar në këtë pjesë i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të tij dhe janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër për shkak të trajnimit periodik.

“Dislokimet e tilla shtesë janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i bën për t’i testuar procedurat e tij dhe për t’i ruajtur standardet më të larta operacionale”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

KFOR-i në mënyrë konstante ka pasur në urën kryesore të Ibrit, por në mëngjesin e së shtunës, atje u pa prani më e madhe e forcave dhe autoblindave.

Ky zhvillim erdhi një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione paralele serbe në Veri, për të cilat thanë se funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë dhe si të tilla cenonin kushtetutshmërinë e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore