Kosova

Kurti: Po punojmë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne


Albin Kurti, Bashkim Jashari, Ejup Maqedonci dhe Hekuran Murati

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës ka takuar komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Hekuran Muratin.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Kurti ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për planet dhe mbështetjen e Qeverisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës “që asnjëherë nuk ka qenë më e madhe e më e lartë”.

“Zhvillimi dhe fuqizimi i ushtrisë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit është ndër prioritet tona kryesore, andaj po punojmë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne, sa më e fortë dhe po aq profesionale”.

Ndryshe Kurti të martën ka takuar presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun.

Në komunikatën për media e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit bëhej e ditur se gjatë takimit Kurti potencoi se Kosova “do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia”, e cila në vlerësimin e tij është “një partnerëve kryesor të Kosovës”.

“Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia”, thekson komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore