Kosova

Mbyllja e institucioneve paralele serbe – Policia do të intervistojë 5 serbë për falsifikim të dokumenteve  


Ilustrim

Policia e Kosovës, të mërkurën, pritet të intervistojë pesë persona, pas aksionit të Policisë së Kosovës ku u mbyllën disa institucione paralele serbe në Veri të Kosovës.

Të dyshuarit do të intervistohen për “falsifikim të dokumenteve”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se intervistat do të realizohen me kërkesë të Prokurorisë.

Ndonëse Policia nuk bëri të ditur se kush janë pesë personat që do të intervistohen, i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të Listës Serbe.

Ai pretendoi se një gjë e tillë është “përndjekje brutale politike e liderëve serbë nga Veriu”.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore