Kosova

Sallahu: S’nevojitën prova për identifikimin e politikanëve të korruptuar, nga stili i jetesës kuptohet  


Blerim Sallahu

Zëvendësministrit i Drejtësisë, Blerim Sallahu, beson se për identifikimin e politikanëve të korruptuar “nuk nevojiten prova”, meqë stili i jetesës së tyre tregon shumë për këtë aspekt.

Në vlerësimin e tij ekzistojnë disa logjika të thjeshta si mund të identifikohet një politikan i korruptuar.

“Nuk ka nevojë me pas prova. Këqyre stilin e jetës, këqyrja jetën, këqyrja pasurinë që e ka pasur. Këqyrja nga viti 2010 deri në 2024-ën dhe e sheh. Me rrogë, s’ka shans m’i bë ti paret. Janë do logjika të thjeshta”, deklaroi ai në një intervistë për RTV Dukagjini.

Sallahu është i njohur për deklarata qesharake dhe jashtë çdo norme të logjikës.

Ai së fundmi kur foli për disa nga arratisjet nga burgjet e Kosovës, potencoi se dy të burgosurit “nuk janë arratisur, por janë larguar”.

Meqë në vlerësimin e tij ata po vuanin dënimin në burgjet e tipit të hapur, ku të burgosurit “kanë shumë privilegje” dhe “janë shfrytëzues të vikendeve”.

“Në Kosovë kemi dy lloje të institucioneve korrektuese, lloje të mbyllura ku siguria është e lartë, të dënuarit kanë masa rigoroze dhe strikte si dhe lloje të hapura, ku të burgosurit gëzojnë të drejta dhe privilegje të shumta, pasi që të njëjtit konsiderohen se janë të gatshëm për riintegrim”, shpjegoi ai.

“Pra, për këtë arsye edhe largimi nga tipi i burgut të mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga burgu i hapur konsiderohet largim”, shtoi ai.

Në tentim për të relativizuar arratisjet e dy të burgosurve, Sallahu potencoi se “largime nga burgjet e llojeve të hapur ka pasur edhe në të kaluarën”.

“Edhe mund të ketë edhe në vazhdimësi, sepse këto institucione nuk i nënshtrohen kontrollit dhe masave të larta të sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore