Kosova

Trepça transferon dhe sistemon minatorët me synim rritjen e prodhimit


Ilustrim

Menaxhimenti i Ndërmarrjes Publike, Trepça, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka njoftuar të martën se ka marrë vendim për transferimin dhe sistemimin e përkohshëm të minatorëve me synim rritjen e prodhimit.

“Vendimet synojnë të rrisin prodhimin dhe të mbështesin operimet në dy njësitë biznesore të minierave me flotacion Trepça – Stan Tërg dhe Kishnicë – Artanë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjashtë nëpunësve të menaxhmentit u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg.

“Punëtor këta të cilët kanë lëvizur ndër vite nga Miniera në sipërfaqe. Për më tepër, 46 minatorëve të rinj do t’u vazhdohen kontratat e punës, në saje të performancës së tyre dhe kërkesës për prodhim të shtuar”.

Trepça, sipas njoftimit, po përgatit gjithashtu trajnimin dhe certifikimin e 19 minandezësve, duke u mbështetur në udhëzimin e ri që ka nxjerrë Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndryshe javë më parë menaxhimenti i Trepçës shpalli edhe gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas menaxhimentit, ka ardhur si pasojë e grevës së minatorëve.

Menaxhimenti gjithashtu ua ka pezulluar pushimet e planifikuara për shtator, tetor e nëntor të minatorëve.

Arsyetimi për këto vendime ka qenë mungesa e aktivitetit për afër një muaj e dhjetë ditë në këto njësi, ku sipas tyre, ka pasur humbje të mëdha në prodhim dhe ndalesë në realizimin e planit të biznesit.

Për më shumë se dy muaj minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk arritën t’i marrin pagat.

Për shkak të mungesës së financave, Albanian Post raportoi se minatorët kishin gjendje të rënduar psikologjike e financiare.

Pas kësaj gjendjeje të krijuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës më 14 gusht mori vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore