Kosova

Nis seanca dëgjimore në QKUK ndaj pesë të dyshuarve për vrasjen në Prishtinë


Foto: Ekonomia Online

Ka nisur seanca dëgjimore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ndaj pesë të dyshuarve lidhur me rastin e vrasjes dhe plagosjes që ka ndodhur mbrëmjen e 1 shtatorit në lagjen “Aktash” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë një person.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Po, ka nisur seanca dëgjimore ndaj tyre në ora 14:00”, ka thënë shkurtimisht Gashi për AP.

Gjatë ditës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka deklaruar se janë marrë disa kamera te rrugët e vendit të ngjarjes.

Të njëjtat sipas Gashit, “janë në fazë të përpunimit të video-incizimeve”.

Dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek janë gjetur dhe sekuestruar në rrugën “Gazmend Zajmin”.

Foto nga vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja të hënën dhe plagosja mes grupit të njohur si “Capat” dhe Sekiraqëve.

Aktakuza ndaj Shkumbin Sekiraqës, i përfshirë në rastin e së dielës tregon se më 4 mars 2024, i pandehuri Sekiraqa me qëllim të qartë për ta privuar nga jeta Pajtim Gashin, vëllain e viktimës në këtë rast, fillimisht ishte takuar me një person të paidentifikuar (NN) që po lëvizte me një automjet në atë rrugë.

Pas këtij takimi, Sekiraqa dhe personi NN u vunë në ndjekje të Pajtim Gashit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Albanian Post e cila është ngritur javën e kaluar, Sekiraqa në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar, akuzohet për vrasje në tentativë ndaj Pajtim Gashit, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm për njerëzit e tjerë në vendin e ngjarjes dhe mbajtjen e armës së zjarrit në mënyrë të paautorizuar.

Kurse, Muhedin Haliti akuzohet për dhënien e ndihmës pas kryerjes së veprës penale, duke fshehur provën – veturën e përdorur gjatë incidentit.

Sekiraqa më 4 mars posa del nga vetura i drejtohet Gashit, me fjalët “paja shoq a po me njeh mua?”.

Aktakuza sqaron se më pas e sulmojnë fizikisht Gashit, në atë mënyrë që fillimisht Sekiraqa nxjerrë armën e zjarrit duke shtënë në drejtim të Gashit, e më pas e godet në kokë me kondak të armës, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe një plagë në këmbë të djathtë.

Ndonëse Gashi, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, i pandehuri kishte shtënë me armë në drejtim të tij, për këtë Sekiraqa po akuzohet se në bashkëkryerje me personin NN, ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës sqarohet se Sekiraqa me anë të përdorimit të armës në vend publik, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, kjo pasi ka shtënë me armë në drejtim të dëmtuarit Pajtim Gashi, duke ua rrezikuar jetën edhe personave të tjerë që ishin në rrugë.

Me këtë veprim Sekiraqa akuzohet se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë, i pandehuri Sekiraqa prej kohës së panjohur, ka mbajtur në posedim armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin për armët.

“Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, çfarë thotë aktakuza e ngritur javën e kaluar ndaj Shkumbin Sekiraqës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore