Kosova

MD-ja “përditëson” Ligjin për Byronë, pas rrëzimit nga Kushtetuesja


Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtesise

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të martën se janë bërë përditësimet e nevojshme në Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke adresuar kështu gjetjet e Gjykatës Kushtetuese, e cila para disa muajsh e kishte rrëzuar këtë ligj.

“Ne nuk kemi draftuar një ligj të ri. Nuk kemi pasur nevojë të draftojmë një version të ri të ligjit, por kemi adresuar vetëm katër çështje”, tha Haxhiu në një konferencë për media, derisa u bëri thirrje partive politike që ta mbështesin.

Fillimisht, Ministrja ka theksuar se çështja e parë, e retroaktivitetit të ligjit, ka qenë temë e diskutuar dhe komplekse, dhe se ka ngjallur debate.

“Nuk e ka kundërshtuar parimisht, duke lejuar aplikimin e tij kur është në interesin publik, megjithatë, sipas Gjykatës, shtrirja e gjatë kohore mund të krijojë sfida për palët e përfshira, duke vendosur ato në pamundësi objektive për të siguruar prova për prejardhjen e pasurisë së tyre. Këtë koncept të pamundësisë objektive e ka adresuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, pohoi.

Ajo ka shtuar se Komisioni Mbikëqyrës dhe ndarja e pushteteve, Kushtetuesja ka konfirmuar se kompetencat e tij nuk janë antikushtetuese, por ka identifikuar nevojën për ndryshimin e nevojës së tij për të respektuar ndarjen e pushteteve.

“Versioni me ndryshime ka rikonstruktuar Komisionit Mbikëqyrës, duke përfshirë tre anëtarë të Kuvendit, pra drejtorin e agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe drejtorin e Inteligjencës Financiare”, pohoi.

Sa i përket çështjes në lidhje me deklaratat financiare, Haxhiu potencoi se janë në pritje të komenteve nga Ministria e Financave dhe Zyra e Kryeministrit.

“Më lejoni t’iu njoftoj që sapo t’i kemi deklaratat nga Ministria e Financave dhe Zyra e Kryeministrit që lidhen me deklaratën financiare dhe atë që nëse ligji është në përputhje, ne do ta procedojmë sërish versionin me ndryshime për Ligjin për Byronë e Pasurisë së Pajustifikueshme. Brenda kësaj jave do t’i kemi këto dy deklarata dhe menjëherë do ta procedojmë në Qeveri, e më pas në Kuvend”, deklaroi ndër të tjera Haxhiu.

Ndryshe, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur antikushtetues edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi kishte gjetur plotë 10 pika në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Prandaj, Gjykata kishte vendosur “të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.

Në vendim ishin dhënë edhe të gjitha nenet dhe paragrafët ku janë diktuar shkeljet kushtetuese të ligjit që qeveria e proklamonte si ligji që do të mundësonte reformën në drejtësi.

Gjykata kishte gjetur se ligji për Byron provonte të përmbyste krejtësisht funksionimin e sistemit juridik në Kosovë ku më nuk do të kishin barrën e provës organet akuzuese, por vetë individi që po akuzohej.

Shkelësit serikë të Kushtetutës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore