Kosova

“Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, çfarë thotë aktakuza e ngritur javën e kaluar ndaj Shkumbin Sekiraqës?


Foto: Albanian Post

Aktakuza ndaj Shkumbin Sekiraqës, i përfshirë në rastin e së dielës ku pesë persona mbetën të plagosur dhe një tjetër humbi jetën, tregon se më 4 mars 2024, i pandehuri Sekiraqa me qëllim të qartë për ta privuar nga jeta Pajtim Gashin, vëllain e viktimës në këtë rast, fillimisht ishte takuar me një person të paidentifikuar (NN) që po lëvizte me një automjet në atë rrugë.

Pas këtij takimi, Sekiraqa dhe personi NN u vunë në ndjekje të Pajtim Gashit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga Albanian Post e cila është ngritur javën e kaluar, Sekiraqa në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar, akuzohet për vrasje në tentativë ndaj Pajtim Gashit, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm për njerëzit e tjerë në vendin e ngjarjes dhe mbajtjen e armës së zjarrit në mënyrë të paautorizuar.

Kurse, Muhedin Haliti akuzohet për dhënien e ndihmës pas kryerjes së veprës penale, duke fshehur provën – veturën e përdorur gjatë incidentit.

Sekiraqa më 4 mars posa del nga vetura i drejtohet Gashit, me fjalët “paja shoq a po me njeh mua?”.

Aktakuza sqaron se më pas e sulmojnë fizikisht Gashit, në atë mënyrë që fillimisht Sekiraqa nxjerrë armën e zjarrit duke shtënë në drejtim të Gashit, e më pas e godet në kokë me kondak të armës, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe një plagë në këmbë të djathtë.

Foto nga vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja të hënën dhe plagosja mes grupit të njohur si “Capat” dhe Sekiraqëve.

Ndonëse Gashi, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, i pandehuri kishte shtënë me armë në drejtim të tij, për këtë Sekiraqa po akuzohet se në bashkëkryerje me personin NN, ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës sqarohet se Sekiraqa me anë të përdorimit të armës në vend publik, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, kjo pasi ka shtënë me armë në drejtim të dëmtuarit Pajtim Gashi, duke ua rrezikuar jetën edhe personave të tjerë që ishin në rrugë.

Me këtë veprim Sekiraqa akuzohet se ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Në ditën, kohën dhe vendin e njëjtë, i pandehuri Sekiraqa prej kohës së panjohur, ka mbajtur në posedim armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin për armët.

Me këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Në aktakuzën e Sekiraqës, i përfshirë është edhe Muhedin Haliti i cili akuzohet se me dashje e ka ndihmuar të pandehurin Shkumbin Sekiraqa, duke fshehur provën – veturën e cila ishte pronë e Halitit e të cilën Sekiraqa e kishte pasur në shfrytëzim në ditën kritike.

Haliti po akuzohet për veprën penale “Dhënie e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale”.

Pajtim Gashi, gjatë deklaratave në polici, kishte thënë se pranë biznesit familjar kishte ardhur një person me veturë, i cili iu kishte drejtuar atij duke i thënë “pse po më këqyr” dhe kishte filluar që ta shante.

Më pas kishte deklaruar se i pandehuri kishte shtënë me armë në drejtim të tij, kurse pasi tentoi të ia merrte armën, personi tjetër e ka goditur në qafë dhe kokë me grushta e shkelma , si pasojë e të cilave ishte rrëzuar.

Sipas tij, i pandehuri kishte shtënë rreth 5-6 herë ndërsa kishte thënë se Sekiraqën nuk e kishte njohur më herët dhe as tani dhe se nuk kishte pasur asnjëherë probleme me të.

Ndërsa, i pandehuri Sekiraqa kishte thënë se qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici, ku kishte thënë se “nuk kam lidhje me rastin që ka ndodhur me 04.03.2023 dhe nuk e njoh të dëmtuarin Pajtim Gashi”.

Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, duke kërkuar gjithashtu që të vazhdohet masa e paraburgimit për Shkumbin Sekiraqa për shkak të rrezikut të arratisjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore