Kosova

KFOR-i njofton për vendosjen e mjeteve shtesë në urën e Ibrit për qëllime trajnimi


Ilustrim

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka bërë të ditur të shtunën se mjete shtesës që i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të tij, janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër.

“Dislokimet e tilla shtesë janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i bën për t’i testuar procedurat e tij dhe për t’i ruajtur standardet më të larta operacionale”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

KFOR-i në mënyrë konstante ka pasur në urën kryesore të Ibrit, por në mëngjesin e së shtunës, atje u pa prani më e madhe e forcave dhe autoblindave.

Ky zhvillim erdhi një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione paralele serbe në Veri, për të cilat thanë se funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë dhe si të tilla cenonin kushtetutshmërinë e vendit.

Një aksion i tillë u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë edhe njëherë kundërshtoi fuqishëm aksionin në Veri, madje theksoi se policia, të cilën tha se e ka ndihmuar të profesionalizohet, po instrumetalizohet nga Qeveria, ndërkaq James O’Brien kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’”, thuhej në reagim.

Përveç kësaj, ambasada e SHBA-ve në Kosovë pati mesazh edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme – që drejtohet nga Xhelal Sveçla – dhe vartësit e saj, nëse qeveria vazhdon me këso veprimesh.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, ishte paralajmërimi amerikan.

Ndërkohë NATO-ja u shpreh shumë e zhgënjyer me aksionin e ditës së premte të autoriteteve kosovare në Veri të Kosovës ku u mbyllën pesë komuna paralele serbe.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah, ka vlerësuar se ky aksion ka qenë i pakoordinuar paraprakisht me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, ndonëse autoritetet kosovare kishin premtuar se do ta bënin një gjë të tillë.

“Shumë të zhgënjyer nga aksionet e djeshme në Veri të Kosovës që nuk ishin të koordinuara me KFOR-in pavarësisht zotimeve të përsëritura për ta bërë këtë”, ka shkruar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore