Kosova

Kurti kërkonte shtimin e trupave – zyrtari i lartë i NATO-s: S’është zgjidhje afatgjate kjo


Thomas Goffus dhe Albin Kurti

Ishte janari i vitit të kaluar kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, publikisht në një intervistë për prestigjiozen “Al Jazeera” kërkonte që NATO-ja ta shtonte numrin e trupave në Kosovë me pretekstin se Serbia ka rritur bashkëpunimin me Rusinë.

“Na shqetësojnë lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë, për këtë arsye na duhen më shumë trupa… Bashkëpunimi mes tyre është rritur pas nisjes së luftës në Ukrainë, dhe për këtë arsye na duhen trupa shtesë të NATO-s në Kosovë”, thoshte ai.

Megjithatë për Aleancën Veri – Atlantike rritja e numrit të trupave në Kosovë, ndonëse për momentin është i nevojshëm, një gjë e tillë nuk ofron një zgjidhje afatgjate për stabilitetin në vend.

Për Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, i cili të enjten takoi krerët e shtetit kosovarë, tha nëpërmjet një video mesazhi, se zgjidhja për situatën në Kosovë është politike duke specifikuar këtu dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kërkesa e Kurtit u plotësua – NATO-ja shtoi prezencën në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Megjithatë që nga ajo kohë deri më sot raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar u përkeqësuan kjo pas veprimeve të njëanshme të ekzekutivit në Veri të Kosovës.

Andaj Goffus u përkujdes pikërisht të theksoi se “veprimet e papritura” dhe “të pakoordinuara”, posaçërisht në Veri të Kosovës, mund të rrisin “rrezikun e dhunës”, e cila më pastaj “cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe rrezikon trupat e KFOR-it”.

“Veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në Veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, që minon sigurinë e njerëzve në Kosovë dhe rrit rrezikun me të cilin përballen trupat e KFOR-it. Kjo rrit shqetësimin e aleatëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, sigurinë e Kosovës dhe sigurinë e trupave të tyre”, theksoi ai.

Ndërsa e cilësoi “si jetike” koordinimin në kohë dhe efektiv me NATO-n e komunitetin ndërkombëtar – duke përmendur këtu çështjen e Urës së Ibrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore