Kosova

Macron lavdëron Serbinë e kritikon Kosovën, nga Beogradi


Ilustrim: Emmanuel Macron dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vizitën e tij të dytë zyrtare në Serbi nuk e ka kaluar pa e përmendur edhe Kosovën, por jo për të mirë.

Në kohën kur Serbia po thellon marrëdhëniet me Francën me nënshkrimin e një marrëveshje multimiliardëshe për blerjen e avionëve luftarak, “Rafale”, Macron u përkujdes të theksojë se është Kosova ajo që me veprime të njëanshme po dërgon “sinjale jo të mira” dhe po shkakton shqetësim në komunitetin ndërkombëtar.

“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, tha Macron në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke iu referuar vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në Veri të vendit dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në këtë kontekst, Macron e garantoi Vuçiç-in se Parisi zyrtar do të vazhdojë të monitorojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”.

“Prandaj, ne jemi veçanërisht të përkushtuar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, shtoi ai.

Presidenti francez, ndërsa thumboi Kosovën falënderoi autoritetet serbe, për siç tha ai, fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit – i dakordësuar me Kosovën fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars të vitit të kaluar.

Macron gjithashtu vlerësoi se çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk do të zgjidhet pa kompromis”, si dhe “pa guxim politik” duke garantuar se Parisi do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të ndërmjetësuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Procesi i normalizimit është i një rëndësie kyçe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen, gjithashtu do të kemi lëvizje të lirë të banorëve dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj”, tha Macron.

Paraprakisht Macron nëpërmjet një letre drejtuar popullit serb deklaroi që marrëveshja e propozuar nga Franca dhe Gjermania, dhe e zyrtarizuar nga Bashkimi Evropian (BE) nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara (SHBA), në kuadër të dialogut, është në përputhje me interesat e Serbisë.

Mesazheve të drejtpërdrejta të Macron në konferencën për media i parapriu ceremonie solemne, ku ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiç dhe Eric Trapije, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Dassault”, nënshkruan marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve luftarak nga Franca.

Vuçiç tha se 12 avionë të rinj luftarakë do të jenë në pronësi të Serbisë dhe se bëhet fjalë për një kontratë, vlera totale e së cilës është 2.7 miliardë euro.

“Ky është një lajm i madh për ne”, tha ai në konferencën për shtyp pas takimit duke potencuar se kjo marrëveshje është tregues “se bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në të gjitha sferat e jetës shoqërore”.

Ndërkohë Macron tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për “një Serbi të fortë dhe demokratike” dhe se vendimi i saj për të blerë avionë “Rafale” është një “zgjedhje strategjike dhe afatgjatë në këtë drejtim”.

“Vendi juaj ka një vend në Evropën tonë, në BE-në tonë”, shtoi ai.

Për njohësit e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, forcimi i marrëdhënieve politike, ekonomike e ushtarake midis Serbisë dhe dy vendeve kryesore evropiane mund të ndryshojë ndjeshëm dinamikën rajonale, posaçërisht në kontekstin e rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Ata vlerësojnë se partneriteti ndërmjet Serbisë dhe BE-së – përkatësisht mes Serbisë dhe Gjermanisë – për litiumin, dhe kontrata multimiliardëshe për blerjen e avionëve luftarakë Rafale nga Franca – do t’i ofrojnë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, një mburojë kundër çfarëdo kritike apo presioni rreth politikës destruktive ndaj Kosovës e autoritarizmit në rritje në Serbi.

Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC), argumenton se marrëveshjet e fundit do të vulosin heshtjen e BE-së ndaj veprimeve të ardhshme të Serbisë: “Kritika ndaj Serbisë ka qenë e heshtur përpara këtyre marrëveshjeve, por do të jetë shumë më pak e theksuar në të ardhmen”.

Serbia dhe BE-ja kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ‘partneritet strategjik’ mbi lëndët e para, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe veturat elektrike. Kjo i mundëson BE-së, posaçërisht Gjermanisë, të sigurojë litiumin në rrethinë, duke reduktuar ndjeshëm varësinë e saj nga Kina.

Në vështrimin e Vogel, shpenzimi i miliardave për blerjen e avionëve të sofistikuar nga Franca shërben jo vetëm si një investim strategjik ushtarak, por ai i ofron presidentit serb një platformë të volitshme për të blerë një “policë sigurimi” kundër “problemeve të mundshme” në të ardhmen.

“Duke shpenzuar tre miliardë euro për avionë luftarakë, presidenti serb nuk është duke e rritur thjesht garën e armatimeve në Ballkanin Perëndimor – ai është duke blerë gjithashtu një policë sigurimi kundër çfarëdo problemi që mund të shfaqet në të ardhmen”, nënvizon ndër të tjera Vogel.

Në peizazhin aktual politik, shumë të tjerë kanë konsideruar se BE-ja është duke e ‘toleruar’ presidentin serb për ta ftohur nga boshti Moskë-Pekin, ndërsa Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke u lënë në harresë, kryesisht për shkak të rëndësisë ekonomike-tregtare të Serbisë.

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, aktualisht profesor i çështjeve të sigurisë, deklaron se forcimi i bashkëpunimit midis Serbisë dhe Gjermanisë e Francës mund të jetë pozitiv ose negativ për Kosovën, varësisht zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe kursit të vendeve respektive.

“Pozitiv nëse Gjermania dhe Franca janë të gatshme të përdorin levën e tyre të re ekonomike dhe ushtarake për t’i bërë presion Vuçiçit që të jetë fleksibël dhe konstruktiv në dialogun Beograd-Prishtinë dhe për të shtypur grupet paraushtarake në Serbi. Por negativ nëse Gjermania dhe Franca do të tolerojnë Serbinë për të mbrojtur interesat e tyre tregtare”, vlerëson Shea.

Për zëvendësdrejtorin e Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Kristof Bender, problemi nuk qëndron në marrëveshjet midis Serbisë dhe dy shteteve kryesore të BE-së, por problemi është kryesisht mungesa e ndonjë strategjie konsistente franko-gjermane për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, por edhe për integrimin evropian të Ballkanin Perëndimor.

“Procesi i anëtarësimit në BE është një hije e asaj që ka qenë në fillim të viteve 2000”, kujton Bender, duke shtuar se nuk pritet që premtimet për integrimin e rajonit në BE të kanalizohen në formën aktuale – as për Kosovën dhe as për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor që janë në pritje.

E duke qenë se marrëveshjet e fundit të Serbisë kanë ardhur në sfondin e tensioneve në Ballkanin Perëndimor dhe ngërçit në dialogun Kosovë-Serbi, njohësit pajtohen se BE-ja duhet të rimendojë strategjinë, që në vend se të vazhdojë të fokusohet në thellimin e bashkëpunimit me Serbinë, duhet që së pari të adresojë çështjet e (pa)sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Vogel dhe Bender sugjerojnë se “politika e njëanshme” e liderëve evropianë, të cilën në mënyrë disproporcionale e kanë zhvendosur Kosovën në qendër të kritikave, nuk ka gjasa të ndryshojë as nën lidershipin e ri të BE-së, ndërsa përmendin faktin se pavarësisht sulmit të armatosur të vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës, nuk ka pasur asnjë pasojë për Serbinë.

“BE-ja ka qenë e tmerrshme në kuptimin e sfidave të vështira të sigurisë… Banjska ka pasur zero pasoja për Vuçiçin. Nuk çuditë fakti që SHBA-të i marrin më seriozisht sfidat e sigurisë sesa BE-ja”, deklaron Vogel. “Fatkeqësisht, kjo nuk duket se ka ndonjë efekt në politikën e përgjithshme”.

“Kjo është sigurisht një situatë e pakëndshme për Kosovën, por nuk ka gjasa të ndryshojë çfarëdo që do të bëjë qeveria e Kosovës. Ndryshimi real kërkon një politikë të ndryshme të BE-së për Ballkanin Perëndimor”, shton Bender.

Shea nga ana tjetër udhëzon Kosovën të rrisë koordinimin me partnerët e saj perëndimorë për t’i çuar përpara interesat e veta: “Një prioritet për Kosovën është që të sinkronizohet me partnerët e saj kryesorë perëndimorë për të siguruar që interesat e saj të kenë peshë të barabartë me ato të Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore