Kosova

Macron i quan “sinjale jo të mira” lëvizjet e njëanshme të Kosovës në Veri – përmend edhe Asociacionin


Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë një konference për media, pas takimit që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka falënderuar këtë të fundit për siç tha ai fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukseli/Ohrit – i dakordësuar me Kosovën fillimisht më 27 shkurt e më pastaj më 18 mars të vitit të kaluar.

Në kohën kur Serbia po thellon marrëdhëniet me Francën me nënshkrimin e një marrëveshje multimiliardëshe për blerjen e avionëve luftarak, “Rafale”, Macron u përkujdes të theksoj se është Kosova ajo që me veprime të njëanshme po dërgon “sinjale jo të mira” dhe po shkakton shqetësim në komunitetin ndërkombëtar.

“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, tha Macron në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke iu referuar vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në Veri të vendit dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në këtë kontekst, Macron e garantoj Vuçiç-in se Parisi zyrtar do të vazhdojë të monitorojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”.

“Prandaj, ne jemi veçanërisht të përkushtuar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, shtoi ai.

Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Macron tha se normalizimi i raporteve ndërmjet dy vendeve është pjesë përbërëse e procesit të integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Macron gjithashtu potencoi se Franca do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të ndërmjetësuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Procesi i normalizimit është i një rëndësie kyçe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen, gjithashtu do të kemi lëvizje të lirë të banorëve dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj”, tha Macron.

Macroni ka lavdëruar Serbinë duke thënë se ajo ka vendin në Bashkimin Evropian.

Ndryshe nëpërmjet një ceremonie solemne në prani të presidentit të Francës, Emmanuel Macron e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiç dhe Eric Trapije, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Dassault”, të enjten, nënshkruan marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve luftarak nga Franca.

Vuçiç tha se 12 avionë të rinj luftarakë do të jenë në pronësi të Serbisë dhe se bëhet fjalë për një kontratë, vlera totale e së cilës është 2.7 miliardë euro.

“Ky është një lajm i madh për ne”, tha ai në konferencën për shtyp pas takimit duke potencuar se kjo marrëveshje është tregues “se bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në të gjitha sferat e jetës shoqërore”.

Sipas tij në vitin 2024 dhe 2025 për këtë blerje do të ndahen 421 milionë euro, të cilat, siç tha Vuçiç, nuk do ta rrisin borxhin publik të Serbisë.

Litiumi dhe “Rafale”-t mund të vulosin “heshtjen evropiane” ndaj Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore