Kosova

Osmani e Sarrazin diskutojnë për zhvillimet e fundit politike e të sigurisë në vend


Manuel Sarrazin dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten ka takuar të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me ç’rast njëra ndër temat e diskutuara ka qenë edhe Procesi i Berlinit.

Osmani, sipas një komunikate për media, gjatë takimit ka ritheksuar “mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces”.

Osmani e Sarrazin ndër të tjera kanë diskutuar edhe për “zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon”.

“Presidentja, po ashtu, potencoi mirënjohjen për kontributin e ushtarëve gjermanë dhe ka vlerësuar lartë përkushtimin e Gjermanisë në drejtim të garantimit të paqes dhe sigurisë, gjë që është dëshmuar edhe me katërfishimin e trupave gjermane, pas aktit të agresionit të Serbisë në shtatorin e vitit të kaluar”.

Ndryshe diplomati gjerman tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë kompromise dhe ndonjëherë të jenë edhe të gatshëm për të bërë lëshime në raport me marrëveshjet politike, që në vlerësimin e tij, “nuk janë të lehta” për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

“Ne kemi nevojë për kompromis dhe ndonjëherë edhe gatishmëri për lëshime për të rënë dakord për marrëveshje politike që nuk janë të lehta për Serbinë ashtu edhe për Kosovën”, tha ai.

Sarrazin ë një prononcim të shkurtër për media pas takimeve që pati të enjten në Kosovë me liderët shtetërorë e liderët e partive opozitare tha se “po largohet i shqetësuar”.

“Unë po largohem i shqetësuar sepse nuk jemi ende atje, nëse nuk marrim rezultate më të mira në samitin e 14 tetorit të Procesit të Berlinit, jam i shqetësuar se nuk do ta arrijmë qëllimin tonë për të dhënë një sinjal të fortë se bashkëpunimi rajonal, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit janë formate që mund të sjellin rezultate konkrete për qytetarët në terren”, shtoi ai.

Sarrazin, ndër të tjera njoftoi se arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ka qenë përgatitja për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Gjermani.

“U kërkoj të gjithëve të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shprehur gatishmëri për kompromise në mënyrë që të arrihen rezultate për lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve, parasë dhe tregtisë në rajon për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore